Menjëherë pas deklareatës së kreut të PD-së Sali Berisha, i cili ftonte gjithë qytetarët t’i bashkoheshin protestës së sotme, , edhe Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një postim në Facebook, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë.
Meta duke falenderuar gjithë qytetarët që morën pjesë në protestën e 11 shkurtit, shkruan se revolta popullore ka shpërthyer më e vendosur se kurrë dhe ajo nuk do të ndalet deri në largimin përfundimtar të Edi Ramës, i cili sipas tij kërkon të asgjesojë kuvendin.
Meta thotë se Kuvendi po kthehet në një zyrë noteriale për korrupsionin e Kryeministrit në largim, ku mungon llogaridhënia, roli mbikqyrës dhe kontrollues dhe vetëm miratohen ligjore me porosi kundër interesit publik dhe kombëtar.
Postimi i plotë:
Mirënjohjen më të thellë për dhjetëra mijëra qytetarë që duke sfiduar një ditë të acartë morrën pjesë në protestën madhështore të 11 shkurtit, mesazhi i fuqishëm i së cilës për shpresën e fitores së shqiptarëve kundër regjimit më të korruptuar në kontinent jehoi ndërkombëtarisht.
“Zhgënjimi” i zëdhënësave mediatikë proregjim për masivitetin dhe qytetarinë e kësaj proteste dëshmon në fakt një përpjekje të dëshpëruar për t’i qarë hallin Kryeministrit në largim dhe Qeverisë. Revolta popullore, ka shpërthyer, më e vendosur se kurrë dhe ajo nuk do të ndalet deri në largimin përfundimtar të Edi Ramës.
Edi Rama kërkon të asgjësojë Kuvendin, sepse kërkon të asgjësojë pluralizmin dhe llogaridhënien, të agjësojë opozitën që përfaqëson vullnetin e 750 mijë qytetarëve që i kanë ngarkuar detyrën e shenjtë të kontrollojë në çdo hap veprimet mafioze të kësaj Qeverie të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë.
Bllokimi mafioz i të gjithë projektligjeve të opozitës, i komisioneve hetimore, i interpelancave, i heqjes të së drejtës së fjalës, i largimit nga Këshilli i Integrimit Europian, i përjashtimit të deputetëve, i bllokimit të informacionit që deputetët i kërkojnë Qeverisë janë krime të vërteta ndaj Kuvendit të kryera nga Edi Rama dhe “Rilindja”.
Kuvendi po kthehet në një zyrë noteriale për korrupsionin e Kryeministrit në largim, ku mungon llogaridhënia, roli mbikqyrës dhe kontrollues dhe vetëm miratohen ligjore me porosi kundër interesit publik dhe kombëtar.
Ndaj të gjithë sot, në ora 17:00, në protestë para Kuvendit, në mbrojtje me çdo çmim të Republikës Parlamentare, themelit të demokracisë dhe pluralizmit politik në Shqipëri!