Vendosni fjalën kyçe....

Presidentja e Moldavisë akuzon Rusinë se po planifikon grusht shteti


Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, akuzoi Rusinë për komplot për të përmbysur dhunshëm udhëheqjen pro-evropiane të shtetit me ndihmën e sabotatorëve, që sipas saj, paraqiten si protestues kundër Qeverisë.

Plani i supozuar i Moskës do të përfshinte “sabotatorët që kanë lidhje me ushtrinë, të kamufluar me rroba civile, për të kryer veprime të dhunshme, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe marrjen e pengjeve”, tha Sandu për gazetarët, përcjell REL.

Të fshehur pas “protestave të të ashtuquajturës opozitë”, sabotatorët do të synonin “që të rrëzonin rendin kushtetues dhe ta zëvendësonin pushtetin legjitim të Kishinevit me një pushtet të paligjshëm”, tha ajo, duke mos pranuar që t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.

Këto deklarata të Sandus vijnë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar tha gjatë samitit të Bashkimit Evropian se Kievi ka parë “planin për shkatërrimin e Moldavisë nga inteligjenca ruse”.

Moldavia, shtet me 2.6 milionë banorë që kufizohet me Rumaninë dhe Ukrainën, ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE në verën e vitit 2022, por gjatë vitit të kaluar është përballur me një sërë protestash anti-qeveritare të organizuara nga oligarku në arrati, Ilan Shor.