Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim i fuqishëm në Sarandë, rrafshohet hoteli dykatësh buzë detit, tmerrohen banorët


Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka ndodhur në një hotel në Sarandë në orët e para të mëngjesit.

Dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një sasi e madhe lënde eksplozive ndaj hotelit ‘Bizanti’ në pronësi të dy ortakëve, Spiro Çabirit e Evangjeli Dhimitri, të cilët janë në gjyq me njëri-tjetrinpër pronësinë e tij.

Shpërthimi i fuqishëm rreth orës 6 të  mëngjesit ka tronditur banorët qytetit bregdetar. Hoteli dykatësh ishte ndërtuar në vitet ’90 e ndodhej buzë detit ndërsa nga shpërthimi i fortë ai është rrënuar krejtësisht duke u rrëzuar përtokë.

Nga shpërthimi janë dëmtuar banesa e biznese të shumta përreth.

Biznesi mësohet se nuk ishte funksional e ishte i mbyllur pasi hapej vetëm gjatë verës në sezonin turistik.

Njoftimi

“Rreth orës 05:55, në lagjen nr.1, Sarandë, në  një hotel dy-katësh i ndërtuar që prej vitit 1996, në pronësi të shtetasve S. Ç., dhe E. Dh., ka shpërthyer një sasi lënde, e dyshuar eksplozive, ku si pasojë ndërtesa është rrëzuar dhe janë shkaktuar dëmtime të fasadave të objekteve në afërsi të objektit të rrëzuar.

Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar. Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve. Menjëherë është ngritur një grupi i posaçëm hetimor me ekspertë më të mirë të DVP Vlorë dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.Nga të dhënat paraprake rezulton se prej vitit 2002, dy bashkëpronarët janë në një proçes gjyqësor për pronësin e këtij hoteli.”