Kryetari i Komisionit të Energjetikës në Partinë e Lirisë, Klodian Gradeci thotë se Shqipëria e ka pranuar dështimin me energjinë e rinovueshme.
Sipas tij kjo pohohet nga progres-raporti i dorëzuar në Eurostat
Gradeci vijon më tej se vendi ka dështuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë nga burimet e rinovueshme pasi në një vit, ky kapacitet është rritur me vetëm 2 MW.
Një pikë tjetër e dështimit është përdorimi i lëndës drusore që është ende burimi kryesor i energjisë në Shqipëri.
“Progres Raporti mbi Energjinë e Rinovueshme publikuar në 2023, që Shqipëria dorëzon në Eurostat sipas Direktivës 2009/28/EC, fakton dështimin e thellë në sektorin energjetik.
Kemi dështuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë nga burimet e rinovueshme.
Për një vit ky kapacitet nga instalimet fotovoltaike është rritur vetëm me 2 MW. (fq 9 e raportit, tabela 1b)
Pika 3 e raportit konfirmon se skema mbështetëse për promovimin e gjenerimit të energjisë fotovoltaike ka dështuar.
Pika 6 e raportit konfirmon se përdorimi lëndës drusore si lëndë djegëse tejkalon rritjen vjetore të pyjeve me 46%. Djegia e lëndës drusore vijon të jetë burimi kryesor i shqiptarëve për energji. Dështim!
Zero prodhim të kulturave bujqësore të dedikuara për prodhimin e energjisë ( pika 6 tabela 4a). Dështim!
Zero informacion mbi impaktin nga prodhimi biokarburaneteve në burimet ujore, cilësinë e ujit dhe cilësinë e tokës ( pika 9). Dështim!
Me këtë trend rrezikojmë të kapim edhe targetin e emetimit të 2 ton CO2 për kapita, pasi mesatarja vjetore aktualisht është 9.4 milion ton/vit CO2 emetime (pika 10). Dështim!
Zero informacion për energjinë e prodhuar nga mbetjet urbane të biodegradueshme (pika 12). Dështim!
Plani Veprimit për Energjinë e Rinovueshme është bërë si plani Bashkisë Tiranë për të mbjellë 2 milion pemë. Dështim 2 herë!
S’ka ngelur gjë tjetër veç të filloni të raportoni gënjeshtra për të fshehur dështimet, ashtu siç gënjeni shqiptarët”-shkruan Gradeci.