Vendosni fjalën kyçe....

NATO premton mbështetje tjetër ushtarake për Ukrainën


Ministrat e mbrojtjes të shteteve anëtare të NATO-s u takuan në Bruksel për të diskutuar lidhur me dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se shtetet kanë dërguar armë në Ukrainë, dhe do të vazhdojnë të dërgojnë, në mënyrë që Ukraina të ketë “atë që i duhet dhe kur i duhet” për të mbrojtur veten kundër pushtimit rus.

Austin njoftoi për ndihmë shtesë që shtetet që mbështesin Ukrainën janë zotuar se do të ofrojnë, përfshirë tanke, municione, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe plane për të integruar sistemet dhe për të trajnuar trupat ukrainase.

Por, Austin tha se ministrat e NATO-s nuk kanë ndonjë vendim sa i përket dërgimit të avionëve luftarakë, që Ukraina ka kërkuar nga aleatët.

Ai tha se aktualisht nuk ka shenja se Rusia po grumbullon avionët luftarakë për të kryer ndonjë sulm masiv ajror, por shtoi se Rusia ka numër të konsiderueshëm të avionëve në inventarin e saj, prandaj aleatët perëndimorë kanë theksuar nevojën që të dërgohen aftësi të mbrojtjes ajrore.

Austin po ashtu tha se Ukraina pritet që të kryejë një ofensivë në pranverë.

Si Austin, ashtu edhe gjenerali amerikan, Mark Milley, folën për përvjetorin e parë të nisjes së pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Milley tha se Rusia po dërgon rekrutë dhe të burgosur “drejt vdekjes së sigurt” duke i dërguar në fushëbetejë dhe në të njëjtën kohë po pëson humbjen “strategjike, operacionale dhe taktike”.

Ai tha se numri i shteteve që janë zotuar se do t’i dërgojnë tanke Ukrainës është rritur në 11, ndërkaq 22 shtete të tjera janë zotuar se do të dërgojnë makina luftarake për këmbësor, 16 shtete do të dërgojnë artileri dhe municion dhe nëntë vende sisteme të mbrojtjes ajrore.

Përderisa 24 shkurti po afron – kur shënohet njëvjetori i nisjes së pushtimit – Rusia po përdor shumë artileri në betejën më të ashpër, atë për marrjen e kontrollit të qytetit të Bahmutit.

Së fundmi, Kremlini ka intensifikuar operacionet në mbarë pjesën jugore dhe lindore të Ukrainës dhe para njëvjetorit të nisjes së pushtimit, po synon që të nisë një ofensivë të madhe.