Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i ka qëndruar ankimit të tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, kundër konfirmimit të gjyqtarit të Tiranës, Kastriot Gramshi, duke kërkuar shkarkimin e tij për mungesë burimesh të pasurive të krijuara në SHBA.
Sipas Ballysës, Gramshi ka mungesa burimesh financiare për pagesën e një pjese të çmimit të një apartamenti të blerë në vitin 2012 në Nju Jork të SHBA-së për çmimin 290 mijë USD, si dhe për dy depozita të krijuara përpara fillimit të detyrës.
Gjyqtari Gramshi e cilësoi këtë ankimim si të pabazuar në ligj dhe argumentoi se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme që i tejkalonin investimet e kryera, që sipas tij e kishin kaluar testin e ligjshmërisë dhe të pastrimit të parave nga institucionet përkatëse amerikane.
,Sipas tij, balanca negative ishte konstatuar fillimsiht për shkak të mosnjohjes së legjislacionit.
I konfirmuar në detyrë më 25 mars 2022, Gramshi gjatë dy seancave dëgjimore më 15 shkurt dhe 24 mars, dha shpjegime për të ardhurat nga aktiviteti tregtar i babait në vitet 1992-1999 si dhe për të ardhurat nga puna e tij dhe e familjarëve në SHBA.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar që të kryhet një analizë e plotë financiare për të gjithë vitet, prej 2003-shit kur subjekti ka mbërritur në SHBA dhe në vijim, që u parashtrua edhe prej komisionerit në ankim dhe gjatë shqyrtimit të çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA.
Përfaqësuesi ligjor i Gramshit, avokati Julian Mërtiri ritheksoi se pasuritë kjanë krijuar disa vite përpara se subjekti të fillonte detyrën, si dhe se pagesat ishin kryer nëpërmjet transaksioneve bankare.
Sipas Mërtirit, pamundësia objektive për të siguruar dokumentet për vitet 2003-2004 ka lindur në momentin e plotësimit të deklaratës “veting”, kur dhe është kërkuar plotësimi i të dhënave përkatëse
Kastriot Gramshi e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 1999 në Shkodër dhe në vitin 2004 është larguar nga detyra me kërkesën e tij. Përpara se të kthehej në Shqipëri dhe të riniste karrierën si gjyqtar në vitin 2014, ai ka punuar si pedagog i së drejtës penale në SHBA.