Kryeministri i Kosovës Kurti pohoi sot se një marrëveshje e mundshme përfundimtare me Serbinë duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.
Gjatë një deklarate për mediat në Prishtinë, kreu i Vetëvendosjes theksoi se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa njohje të ndërsjellë.
“Procesi i bisedimeve nuk ka filluar ende, duhet të ketë takim të nivelit të lartë që ftohet nga përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe nga bisedimet mandej shohim se çka e kur. Por, normalizim të plotë të marrëdhënieve pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë. Pra, në çdo takim që kemi pasur me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, e pranojnë se normalizimi dhe njohja nuk mund të çahen e ndahen prej njëri-tjetrit.” – tha Kurti.
Kosova dhe Serbia vitin e kaluar kanë pranuar një propozim të Bashkimit Evropian, që fillimisht njihej si propozimi franko-gjerman, për normalizimin e raporteve. Të dyja palët e kanë pranuar këtë dokument, i cili nuk është bërë publik.
Por, propozimi, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.