Vendosni fjalën kyçe....

Mashtruan tregun e artit për vite me radhë e fituan miliona, si u kapën nga një pakujdesi e vetme çifti i falsifikatorëve


Pas dekadash pikturash të falsifikuara, falsifikimi provash dhe mbulimit të gjurmëve, vetëm një pakujdesi nxori në dritë mashtrimin e një çifti.

Çiftit gjerman Beltracchi, i kishte mbaruar zinku që përdornin për të krijuar bojë të bardhë për operacionin e tyre të falsifikimit. Wolfgang Beltracchi bleu një pigment zinku nga një prodhues holandez i cili nuk zbuloi se përmbante titan.

Vitin tjetër, pasi një nga krijimet e Wolfgang – ‘Red Picture with Horses’, e cila ishte kaluar si vepër e artistit ekspresionist Heinrich Campendonk – u shit në ankand për një rekord prej 2.8 milionë eurosh, u shfaq një mospërputhje. Analiza e pikturës gjeti gjurmë të titanit, por substanca ishte përdorur vetëm si pigment i bardhë që nga vitet 1920.

Vepra në fjalë supozohet se është bërë në vitin 1914. Zbulimi ndezi një zinxhir ngjarjesh që do zbulonin një skemë shumë milionëshe që kishte mashtruar blerësit dhe galeritë në mbarë botën.

Pikturat e Wolfgang kishin gjetur rrugën e tyre në ankande të rëndësishme e në koleksione private, duke përfshirë atë të aktorit Steve Martin. Çifti Beltracchi madje kishin mashtruar vlerësuesit ekspertë të artit – ose, siç pretenduan që atëherë, i paguanin njërit prej tyre tarifa mjaft të mëdha për të blerë në mënyrë efektive heshtjen e tij.

Në vitin 2011, pas më shumë se 30 vitesh në biznes, Wolfgang dhe Helene u dënuan me gjashtë dhe katër vjet burg, respektivisht, megjithëse të dy u liruan para kohe. Ata gjithashtu u urdhëruan të paguanin 35 milionë euro (38 milionë dollarë) si dëmshpërblim.

Në vend që të falsifikonte pikturat ekzistuese, Wolfgang prodhoi qindra vepra origjinale që imitonin me mjeshtëri stilet e artistëve të vdekur evropianë, duke përfshirë Max Ernst, Fernand Léger, Kees van Dongen dhe André Derain.

Gruaja e tij Helene më pas i shiti ato si vepra të padokumentuara më parë, ndonjëherë për shuma shtatëshifrore. Dyshja pretenduan se e kishin trashëguar koleksionin e tyre të artit nga gjyshi i Helenës, për të cilin ata thanë se e kishte blerë nga një galerist hebre që u largua nga Gjermania e Hitlerit.

‘Zhdukja e identitetit’

Dyshja, së bashku me dy bashkëpunëtorë, u dënuan për falsifikim të 14 veprave të artit. Dhjetra të tjerë u përjashtuan nga gjyqi për shkak të parashkrimit. Por ata pretendojnë se kanë prodhuar rreth 300 falsifikime, shumë prej të cilave nuk janë identifikuar kurrë përfundimisht.

Suksesi i tyre ishte i rrënjosur në kërkime të përpikta dhe një obsesion me hollësitë. Duke marrë atë që ata e quajtën ‘udhëtime kulturore’, çifti udhëtoi në vendet ku artistët që po imitonin kishin pikturuar, ose për të parë vepra origjinale në muzetë anembanë botës.

Ata gjithashtu u zhytën në letrat dhe ditarët e artistëve, si dhe në të dhënat rreth punës së tyre. Megjithëse pikturat lindën kryesisht nga imagjinata e Wolfgang-ut, shpesh atyre u jepeshin tituj veprash që njiheshin, por konsideroheshin të humbura (dhe për të cilat nuk ekzistonte asnjë foto), duke mbushur kështu boshllëqet në veprat e artistëve pa ngjallur dyshime.

Dyshja bleu korniza dhe piktura të vjetra në tregjet e mallrave të përdorura dhe madje përdori një aparat fotografik të viteve 1920 për të bërë fotografi me pamje të vjetër të krijimeve të tyre si dëshmi e origjinës historike.

Gjatë gjyqit të çiftit, kryetari i trupit gjykues tha se mashtrimi ishte organizuar ‘me përpikmëri ushtarake’, sipas komenteve të publikuara nga New York Times në atë kohë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN