Vendosni fjalën kyçe....

OBSH thërret takim urgjent për virusin ‘vrasës’ në Afrikë


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është mbledhur për të diskutuar një shpërthim të ri të një virusi shumë infektiv në Afrikën Qendrore. Organizata po shikon disa kandidatë për vaksina që mund të ndalojnë potencialisht patogjenin që shkakton ethet hemorragjike me një shkallë fataliteti deri në 88%.

Zyrtarët e OBSH-së mbajtën një takim ‘urgjent’ të martën për të shqyrtuar virusin ‘Marburg’ që po përhapet tani në Guinenë Ekuatoriale, ku të paktën nëntë persona kanë humbur jetën nga sëmundja, përveç më shumë se një duzinë rastesh të dyshuara.

Agjencia njoftoi se ekspertë mjekësorë dhe pajisje mbrojtëse do dërgohen në vend dhe tha se mostrat do sillen në një laborator në Senegal për të ndihmuar në gjurmimin e origjinës së shpërthimit të ri.

“Marburgu është shumë infektiv. Falë veprimit të shpejtë dhe vendimtar nga autoritetet e Guinesë Ekuatoriale në konfirmimin e sëmundjes, përgjigja e urgjencës mund të arrijë efektivitet të plotë shpejt, në mënyrë që të shpëtojmë jetë dhe të ndalojmë virusin sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Dr. Matshidiso Moeti, drejtor rajonal i OBSH-së për Afrikën.

Marburg i përket së njëjtës familje virusesh si Ebola e konsiderohet shumë i rrezikshëm dhe dihet se shkakton një formë të etheve hemorragjike virale, e cila çon në gjakderdhje nga hunda, goja ose pjesë të tjera të trupit. Simptoma të tjera përfshijnë letargji të skajshme, dehidratim, përzierje, të vjella, dhimbje të fytit dhe dhimbje barku.

Ndërsa tani për tani nuk ka asnjë vaksinë ose terapi antivirale të pranuar për të trajtuar Marburgun, OBSH vuri në dukje se një ‘gamë trajtimesh të mundshme’ po vlerësohen, duke përfshirë ‘produktet e gjakut, terapitë imune dhe terapitë me ilaçe’, si dhe vaksinat e shumta kandidate që do i nënshtrohen fazes së parë  të provave.

“Ne jemi duke punuar në një plan përgjigjeje 30-ditore ku duhet të jemi në gjendje të përcaktojmë sasinë e masave të sakta dhe të përcaktojmë se cilat janë nevojat e sakta,” tha George Ameh, përfaqësuesi i OBSH-së në Guinenë Ekuatoriale.

Megjithëse Marburg dihet se ka një shkallë vdekshmërie prej rreth 50%, shpërthimet e kaluara kanë pasur një numër edhe më të madh. Në vitin 2004, virusi goditi Angolën dhe infektoi 252 njerëz; 90% e tyre vdiqën. Gana gjithashtu raportoi një shpërthim të vogël vitin e kaluar, megjithëse vetëm dy vdekje u numëruan në atë kohë.

Virusi mban emrin e një qyteti në Gjermani, ku u regjistrua për herë të parë në vitin 1967. Në atë kohë, një dërgesë e përbashkët e majmunëve të infektuar nga Afrika shkaktoi pothuajse shpërthime të njëkohshme në laboratorët në Marburg dhe Frankfurt, si dhe në Beograd, ish-Jugosllavi, duke çuar në gjithsej shtatë vdekje.