Shumica socialiste ka rrëzuar kërkesën e 28 deputetëve të opozitës për shkarkimin e Lindita Nikollës nga posti i Kryetares së Kuvendit.
Në votimin e mbyllur, 78 deputetë votuar kundër kërkesës së opozitës, ndërkohë që vetëm tre deputetë kanë votuar pro.
Nikolla në fjalën e saj tha se është e zhgënjyer nga kërkesa e opozitës për shkarkimin e saj, pasi sipas kryetares nuk është ajo që krijon konflikte.
“Kam mirëpritur e mbështes të gjitha instrumentet parlamentare që i shërbejnë zgjerimit të hapësirave të opozitës për ushtrimin e përgjegjësive në Kuvendin e Shqipërisë. Prita me qetësi edhe kërkesën e 28 deputetëve të opozitës për shkarkimin tim. Do të dëshiroja ta filloja këtë fjalë timen duke cituar thënien në konferencë të kryetarëve të njërës prej kolegeve të nderuara, e cila ka vendosur firmën në këtë kërkesë. ‘E kam firmosur më tepër si një tërheqje vëmendjeje sesa si një dëshirë për të mos e parë në krye të parlamentit, sepse, sikundër e thashë, po e përsëris me bindje dhe me koshiencë që është ndër njerëzit më të butë dhe më të mirë që mund ta drejtonin këtë parlament”-deklaroi Kryetarja e Kuvendit.