Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka deklaruar se një vit më parë “Rilindja” humbi betejën e saj të paturp për të shkarkuar Presidentin e Republikës në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas shkrimit të Metës, “Rilindja” i kishte humbur të gjitha betejat e saj me të kur ishte President edhe në Komisionin e Venecias, ndërsa shtoi se edhe sot nuk ka një reagim nga SPAK.
Meta nuk le pa falenderuar ekipin e tij të presidencës kur ai ishte në detyrë si edhe përkrahjen e popullit të 2 Marsit.
“Në 3 Mars le të gjëmojë më fort zëri i popullit në mbrojtje të demokracisë, më i vendosur se kurrë për të realizuar Ndryshimin e Madh që po afron!” mbyll shkrimin Meta.
Postimi i plotë:
Një vit më parë “Rilindja” humbi betejën e saj të paturp për të shkarkuar Presidentin e Republikës në Gjykatën Kushtetuese.
“Rilindja” në këtë mënyrë i kishte humbur të gjitha betejat e saj me Presidentin e Republikës edhe në Komisionin e Venecias. Ndërkohë edhe sot e kësaj dite nuk ka një reagim nga SPAK se ç’bëhet me denoncimin e Presidentit të Republikës një vit më parë kur po ky Kuvend i “Rilindjes” që shihni sot falsifikoi firmën e ish-Kryetarit të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese kundër Presidentit.
Falenderoj të gjithë ekipin tim gjatë detyrës si President i Republikës, në veçanti të gjithë qytetarët për përkrahjen e tyre dhe sidomos popullin e 2 Marsit që u ngrit në këmbë në mbrojtje të Kushtetutës.
Në 3 Mars le të gjëmojë më fort zëri i popullit në mbrojtje të demokracisë, më i vendosur se kurrë për të realizuar Ndryshimin e Madh që po afron!