Shqipëria ka dhuruar 1 milion euro për Turqinë në formë ndihme pas tërmeteve shkatërruese të 6 shkurtit.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria nuk e harron ndihmën e madhe të popullit turk e presidentit Erdogan pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi vendin.
Rama tha gjithashtu se ishte i vetëdijshëm se shuma e ofruar është shumë pak krahasuar me nevojat e mëdha me të cilat përballet Turqia.
“Jam shumë i nderuar të jem pjesë e këtij programi sensibilizues, si përfaqësues i Shqipërisë. Vendi ynë mbajti të hënën një ditë zie kombëtare, për të shprehur solidaritetin dhe nderuar viktimat e tragjedisë. Ne nuk do ta harrojmë çfarë bëri Presidenti Erdogan pas tërmetit të vitit 2019. Ne jemi me popullin turk. Në emër të popullit shqiptar ne duam të dhurojmë 1 milionë euro. E di që kjo nuk është asgjë, pasi nevojat janë shumë-shumë më të mëdha”, tha Rama.
Nga tërmeti i së hënës së shkuar që goditi Turqinë e Sirinë kanë mbetur mbi 35 mijë viktima e dhjetëra mijëra të lënduar.