Vendosni fjalën kyçe....

Kërkohen nga drejtësia italiane e spanjolle, pranga dy të rinjve


Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane është ndaluar në pikën kufitare të Morinës.

Valerjan Arra banues në Shkodër është dënuar në vendin fqinj me 12 vjet burg për trafik lëndësh narkotike e është kapur teksa po përpiqej të futej në Shqipëri përmes Kosovës.

Sipas njoftimit, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vite e 4 muaj burg nga dënimit.

Po kështu në Vlorë është ndaluar 25-vjeçari Ulian Sokoli, banues në Vlorë.

Ai kërkohet nga drejtësia spanjolle pasi akuzohet për kultivim lëndësh narkotike.

Njoftimi

“Kapet në PKK Morinë dhe arrestohet përkohësisht, për t’u ekstraduar drejt Italisë, 38-vjeçari i dënuar me mbi 12 vjet burgim, për trafikim narkotikësh, të kryer në formën e grupit kriminal.

Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë, si rezultat i verifikimeve të kryera në bazë të analizës së riskut dhe nëpërmjet koordinimit të vazhdueshëm më Interpol Tiranën, me qëllim kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të kërkuar kombëtarisht apo ndërkombëtarisht, për veprimtari të ndryshme kriminale, kanë arrestuar provizorisht, në hyrje të RSH-së, shtetasin:

-Valerjan Arra, 38 vjeç, banues në Shkodër.

38-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit të Firences e ka dënuar me 12 vjet e 3 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit kriminal, të parashikuar nga legjislacioni penal i Italisë. Shtetasit Valerjan Arra i kanë mbetur për të vuajtur nga ky dënim me burgim, edhe 4 vjet e 4 muaj.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e 38-vjeçarit.”

Njoftimi

“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për vendndodhjen e një tjetër shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht si pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet kultivimin e bimëve narkotike të llojit marijuanë, në Spanjë, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me Interpol Tirana, fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Escape”.

Në kuadër të këtij operacioni, u kap në Rrugën Transballkanike dhe u arrestua përkohësisht, shtetasi Ulian Sokoli, 25 vjeç, banues në Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, pasi Gjykata Qendrore e Instruksionit në Spanjë, me vendimin e datës 01.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Grup kriminal” dhe “Mashtrim në fushën e energjetikës”, parashikuar nga legjislacioni penal spanjoll.

Shtetasi Ulian Sokoli dhe shtetasi Xhuljano Hajrulla, i cili u arrestua ditën e djeshme nga Policia, në Vlorë, akuzohen si pjesëtarë të të njëjtit grup kriminal në Spanjë, që merret me kultivimin e marijuanës.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”