Kryeministri Rama tha sot, në ceremoninë e konkursit për muzeun ‘Besa’ që do i kushtohet shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, se bëhet fjalë për një nga faqet më të lavdishme të historisë së shqiptarëve.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara nisjes së saj.
Kreu i qeverisë shtoi gjithashtu se tashmë historia do shenjohet edhe si sinjalistikë urbane e arkitektonike.
“Detyrimi në raport me fëmijët tanë e me vizitorët e vendit tonë që lidhet me mbase faqen më të lavdishme të historisë së shqiptarëve, shpëtimi i hebrenjve gjatë Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria është i vetmi vend në Eurropë që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara. Shqipëria falë historisë së shkruar nga njerëzit e saj është pagëzuar me titullin ‘e drejta mes vendeve’ ashtu sikundër shumë shqiptarë janë pagëzuar të tillë nga Izraeli. Pavarësisht këtyre, ne ende nuk e kemi të shenjuar këtë histori në trupin e vendit tonë si një sinjalistikë urbane dhe arkitektonike.
Tani kemi nisur dhe fatmirësisht nuk është kjo vepra e parë. Është e dyta se më parë bashkë me FSHA kemi nisur muzeun e hebrenjve në Vlorë. Në të njëjtën kohë në lagjen e vjetër sot të rilindur të ‘Muradijes’ në Vlorë kemi identifikuar një godinë të bukur e të përshtatshme, kemi përcaktuar dhe studion që është në një fazë të avancuar për të filluar nga puna por nëse në rastin e Vlorës kemi një muze të hebrenjve, këtu kemi ambicien që të shkojmë përtej. Pra të kemi një vepër arkitektonike të përpunuar. Një destinacion i ri në qytet për ata që duan të njihen me këtë faqe të lavdishme por edhe për të rinjtë që duan të njihen me historinë e Izraelit. Sot hedhim hap pa kthim për ta realizuar këtë vepër.” – tha Rama.