Vendosni fjalën kyçe....

Shefja e YouTube jep dorëheqjen


Shefja prej një kohë të gjatë e YouTube, Susan Wojcicki, njoftoi të enjten se do largohet si drejtuese e platformës video në pronësi të Google për të kaluar më shumë kohë me familjen e saj. Ndihmësi i saj Neal Mohan do marrë përsipër postin, ndërsa vetë Wojcicki synon të mbetet në një rol këshillues në Google dhe kompaninë e saj mëmë Alphabet.

“Kam vendosur të tërhiqem nga roli im si shefja e YouTube dhe të filloj një kapitull të ri të përqendruar në familjen time, shëndetin dhe projektet personale për të cilat jam e pasionuar,” tha Wojcicki në një email drejtuar stafit të enjten të shpërndarë më vonë në blogun zyrtar të YouTube.

“Susan ka ndërtuar një ekip të jashtëzakonshëm dhe ka te Neal një pasardhës, i cili është gati të hyjë në terren dhe të udhëheqë YouTube gjatë dekadës së ardhshme të suksesit”, tha në një deklaratë shefi i Alphabet, Sundar Pichai.

Wojcicki iu bashkua Google si menaxhere marketingu në vitin 1999, disa muaj pasi themeluesit e saj Larry Page dhe Sergey Brin kishin marrë me qira garazhin e shtëpisë së prindërve të saj në Silicon Valley si zyrë. Ajo këshilloi Brin dhe Page të blinin YouTube në 2006 dhe platformën e reklamave në internet DoubleClick në 2007.

Ajo u bë shefe e YouTube në 2014 dhe e bëri Mohanin – i cili erdhi nga DoubleClick – zyrtarin kryesor të produktit në vitin 2015. Përveçse luajti një ‘rol kryesor’ në nisjen e YouTube TV dhe Shorts, Mohan ka ‘udhëhequr ekipin tonë të Besimit dhe Sigurisë, duke siguruar që YouTube të përmbushë përgjegjësinë e tij si një platformë globale,’ vuri në dukje Wojcicki.

Në Forumin Ekonomik Botëror të vitit të kaluar në Davos, Wojcicki e përshkroi atë përgjegjësi duke thënë se konflikti në Ukrainë kishte treguar se ‘informacioni luan një rol kyç’.