Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi dhe ai i Bindjes Demokratike Astrit Patozi kanë zyrtarizuar marrëveshjen për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ata theksuan se nëse opozita do nxjerrë më shumë se një kandidat për zgjedhje, atëherë edhe ata do nxjerrin kandidatët e tyre.
Shehi tha në fjalën e tij se nuk mund të pranohet më që Shqipëria të qeveriset vetëm nga dy njerëz dhe se ka ardhur koha që ajo të qeveriset ndryshe.
“Ne jemi të hapur për parti të reja. Besojmë se do jetë fillimi i një lëvizje që do të vijë duke u zgjeruar. Njerëzit kanë të drejtë që të mendojnë ndryshe dhe mbase këtu do të shohin një shpresë dhe një frymë tjetër. Nëse PD do të vendosë 2 apo 3 kandidatë, dëshira jonë është që të dilet me një kandidat. Ne jemi munduar që të gjejmë një formula bashkëpunimi. Dëshira është të largojmë Edi Ramën dhe të kemi një kandidat për ballë kandidatit socialist. Ne s’kemi një pikë përfundimtare. Ne nuk mund të pranojmë më që dy njerëz të drejtojnë Shqipërinë. Nuk pranojmë më marrëveshjen e 2008 mes Berishës dhe Ramës. Ka ardhur dita që Shqipëria të qeveriset ndryshe. Nëse ato nuk bashkohen, ne do kemi kandidatët tonë. Në nuk hyjmë në fushatë të dëmtojmë njeri. Jemi në atë pikë që nëse opozita dërgon 2 ose 3 ne do futemi në garë.” – tha Shehi.
Ndërkohë, Patosi tha se me Berishën dhe Metën i ndan një humnerë e gjerë.
“Me z. Berisha dhe z. Meta na ndan një humnerë e gjerë. Unë kam pasur të shkuarën time në PD, por kjo nuk do të thotë asgjë sepse politika është dinamike. Unë shoh se ka ardhur PD në idetë tona dhe nuk kemi shkuar ne tek PD-ja.” – theksoi Patozi.