Protestat e bllokimi i seancës, Gjiknuri: PS duhet të mendojë një strategji të re përballë opozitës
Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend, ku seancat janë shoqëruar me tension të lartë.
Mungesa e kryeministrit Rama pas kërkesës së opozitës për ballafaqim lidhur me çështjen ‘McGonigal’ ka sjellë bllokim të foltores e numri dy i PS-së pohoi se shumica duhet të mendojë një strategji më të mirë për t’u përballur me këtë gjë.
“Opozita ka radikalizuar qëndrimin e saj. Mazhoranca duhet të mendojë një strategji për të adresuar këtë çështje. Nuk janë normale. Ne duhet të mendojmë të gjejmë një strategji më të mirë pa penguar miratimin e ligjit.” – tha Gjiknuri për A2 CNN.
Ai shtoi më tej se përjashtimi i deputetëve të opozitës nuk ka sjellë rezultatin e duhur e kësisoj propozon rishikim të strategjisë së shumicës.
Lidhur me protestat e opozitës ai tha se ato nuk sjellin asnjë kërcënim për shumicën por ato mund të dëmtojnë imazhin e vendit. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye për të ngritur një komision hetimor për çështjen ‘McGonigal’, komision i kërkuar me ngulm nga opozita.
“Masat deri diku sjellin rezultat, rendi duhet të jetë prioritet. Mbase PS duhet të mendojë një strategji të re. Besoj se mazhoranca nuk kërcënohet nga këto protesta. Nuk është mirë për imazhin e vendit pasi duket sikur është krijuar një krizë, edhe pse është artificiale.” – shtoi Gjiknuri.