Vendosni fjalën kyçe....

India kritikon George Soros për ‘ndërhyrje’ në punët e brendshme


Ministri i Jashtëm i Indisë Subrahmanyam Jaishankar dhe zyrtarë të tjerë kanë sulmuar filantropin miliarder George Soros për sugjerimin se skandali rreth ‘Grupit Adani’, i lidhur me kryeministrin Narendra Modi, mund të sjellë një ‘ringjallje demokratike’ në vend.

Soros tha gjatë Konferencës së Sigurisë së Mynihut të enjten se akuzat për mashtrim kundër konglomeratit shumëkombësh, të kryesuar nga bashkëpunëtori për një kohë të gjatë i kryeministrit indian Modi, Gautam Adani, do ‘dobësonin ndjeshëm peshën e Modit mbi qeverinë federale të Indisë. “Unë mund të jem naiv, por pres një ringjalljen demokratike në Indi.”

Këto komente nuk kaluan pa u vënë re në Nju Delhi, me Jaishankar që sulmoi të shtunën miliarderin 92-vjeçar dhe aktivistin politik të majtë. Ministri i Jashtëm e përshkroi Sorosin si ‘të vjetër, të pasur e të rrezikshëm’, sepse ai është i gatshëm të investojë paratë e tij në ‘formësimin e narrativave’.

“Njerëz si ai mendojnë se zgjedhjet janë të mira nëse personi që duan të shohin fiton dhe, nëse zgjedhjet sjellin një rezultat tjetër, atëherë ata do të thonë se është një demokraci me të meta,” shtoi ai.

Jaishankar kujtoi gjithashtu se Soros, i cili drejton Fondacionin e Shoqërisë së Hapur dhe sponsorizon shumë OJQ në mbarë globin, nuk ka qenë gjithmonë korrekt në parashikimet e tij.

“Pak vite më parë, ai në fakt na akuzoi se planifikonim t’u heqim shtetësinë miliona muslimanëve, gjë që natyrisht nuk ndodhi. Ishte një sugjerim qesharak,” tha ministri.

Ministrja indiane për Zhvillimin e Grave dhe Fëmijëve, Smriti Irani, komentoi se deklarata e fundit e investitorit hungaro-amerikan ‘nuk ishte thjesht një përpjekje për të dëmtuar imazhin e Indisë; nëse e dëgjoni me kujdes, ai flet për ndryshimin e regjimit’.

“India ka mundur gjithmonë fuqitë e huaja sa herë që është sfiduar dhe do të vazhdojë t’i mundë ato edhe në të ardhmen,” u tha Irani gazetarëve në selinë e Partisë Bharatiya Janata (BJP) në pushtet.

Partia e dytë më e madhe e vendit, Kongresi Kombëtar Indian (INC), ka kundërshtuar gjithashtu qëndrimet e Soros.

“Nëse ‘mashtrimi i Adanit i lidhur me Kryeministrin’ ndez një ringjallje demokratike në Indi varet tërësisht nga Kongresi, partitë opozitare dhe procesi ynë zgjedhor. Nuk ka të bëjë fare me George Soros,” shkroi në Twitter sekretari i përgjithshëm i INC, Jairam Ramesh.