Pas dërgimit të ndihmës ushtarake dhe financiare në vlerë prej 110 miliardë dollarësh në Ukrainë për një vit, SHBA po bën plane për të dërguar auditorë dhe inspektorë në Kiev, në mënyrë që ata të mos kenë nevojë të mbështeten në raporte të dorës së dytë, raportoi të premten Wall Street Journal duke cituar zyrtarë të Pentagonit, Departamentit të Shtetit dhe USAID-it.
Inspektorët e përgjithshëm nga tre agjencitë përkatëse i thanë medias se deri tani, mbikëqyrja ishte kryer duke përdorur stafin në Poloni dhe Gjermani. Pasi shkuan në Kiev muajin e kaluar dhe takuan zyrtarët ukrainas, ata vendosën të dërgojnë disa nga 177 auditorët dhe hetuesit e tyre në Ukrainë.
Treshja u takua me kryeministrin e Ukrainës, ministrat e Mbrojtjes dhe Financave dhe Prokurorin e Përgjithshëm.
Diana Shaw, zyrtare në Departamentin e Shtetit, tha se SHBA i ka dhënë Ukrainës ‘një sasi tepër të madhe ndihme’ në një ‘kohë shumë të shkurtër’ dhe se ‘çdo mashtrim, shpërdorim, abuzim që do ta shmangte atë financim nga qëllimi i tij i synuar rrezikon rrjedhën e vijueshme të ndihmës’.
Përveç sistemeve të shtrenjta të armëve dhe municioneve, Uashingtoni i ka dërguar Kievit para në mënyrë që qeveria ukrainase të vazhdojë të funksionojë. Për të mbikëqyrur këtë rrjedhë, zbuloi gazeta, Uashingtoni është mbështetur në stafin e saj në vendet e afërta, stafin e vogël të ambasadës së SHBA në Kiev, zyrtarët e BE-së në Ukrainë dhe personelin e Bankës Botërore.
Inspektorët ‘deri tani nuk kanë marrë asnjë raport për mashtrim ose paligjshmëri të madhe’ në lidhje me ndihmën e SHBA-së, sipas ‘Journal’. Spastrimet e fundit të presidentit Vladimir Zelensky ndaj zyrtarëve ukrainas, si pjesë e një fushate kundër korrupsionit, nuk kishin të bënin me ndihmën e SHBA-së, këmbëngulën ata.