Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i kunatit të Erion Alibejt e gjetja e arsenalit të armëve brenda X6-ës, policia jep hollësitë e operacionit


Policia ka dhënë hollësi lidhur me operacionin e arrestimit të Arben Spahiut  e Arsen Precit ditën e sotme, të cilët lidhen me mjetin tip BMW X6 të sekuestruar dje në Elbasan, brenda të cilit u gjetën tre kallashnikovë, fishekë e dy shishe me benzinë që dyshohet se  do përdoreshin në një atentat.

Sipas njoftimit, përveç armëve të gjetura në makinë, pranë një koshi mbeturinash është gjetur edhe një çantë brenda së cilës ndodhej një pistoletë.

Arben Spahiu është vëllai i Ardit Spahiut i vrarë në Belgjikë dhe Rigers Spahiut, i kapur në tetor 2022 me një arsenal armësh në Elbasan.

Erion Alibej, motra e të cilit është martuar me Arben Spahiun e arrestuar sot, akuzohet për porositjen dhe organizimin e dy vrasjeve ku mbetën të vdekur Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare.

Alibej njihej edhe me emrin Andrea Alibej dhe është vëllai i Endrit Alibejt, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz në dhjetor të vitit 2018.

Erion Alibej dyshohet se ka gisht edhe vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës ngjarja e ndodhur në shtator 2020.

Njoftimi

“Vijon operacioni policor i koduar “Inteligjenca”, për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Në vijim të operacionit, Policia kap dhe vë në pranga 2 shtetasit që dyshohet se janë të përfshirë në rastin e parandaluar nga Policia.

Në nisje të operacionit, një ditë më parë, Policia gjeti dhe sekuestroi 4 armë zjarri (3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë) dhe një automjet, që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e këtij krimi.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një ngjarje të mundshme kriminale, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Inteligjenca”.

Në kuadër të operacionit u ngritën pika të shumta kontrolli dhe u ushtrua kontroll në ambiente të ndryshme të cilat dyshohej se shërbenin për fshehjen e sendeve dhe mjeteve me të cilat mund të kryheshin veprimtari kriminale.

Pas kontrollit në terren, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, shërbimet e Policisë gjetën një automjet tip “BMW X6”, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë). Gjithashtu, në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.

Personat e dyshuar, për shkak të presionit policor në terren, fshehën automjetin me të cilin qarkullonin, armët e zjarrit, bidonat me benzinë dhe mjete të tjera me të cilat do të kryenin krimin.

Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të operacionit policor “Inteligjenca”, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

A.S., 53 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”;\

A.P., 44 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Për hetimin e thelluar të këtij rasti është duke punuar një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët më të mirë të hetimit të krimit të DVP Elbasan, specialistët e Drejtorisë për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”