Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata lë në burg Alda Klosin, avokati: S’është në gjendje të mirë shëndetësore, ka nevojë për kujdes


Gjykata ka lënë në burg ish-shefen e kabinetit të Arben Ahmetajt, Alda Klosi, e cila u arrrestua lidhur me hetimet që po kryhen pas vjedhjes së një sasie prej 120 mijë eurosh në banesën e saj nga pastruesja Rozeta Dobi.

Avokati i Alda Klosit tha pas vendimit se klientja e tij nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe duhet të jetë nën vëzhgimin e mjekëve.

“Pas ndalimit, Alda Klosi kaloi një periudhë jo të mirë shëndetësore. U shtrua dhe u kurua në spital në QSUT. Doli nga spitali në gjendje disi të përmirësuar, por sipas kartelës klinike të lëshuar nga mjekët, duhet të jetë në vëzhgimin e mjekëve, pasi ka tendenca për një hipertoni që mund të sjellë pasoja për shëndetin e saj.” – tha ai.

Avokati Ilirjan Muho tha gjithashtu se Klosi ka pranuar se 120 mijë eurot e vjedhura në banesën e saj janë hua që vëllai i saj ka marrë për kurimin e xhaxhait në SHBA, ndërsa theksoi se prokuroria duhet të provojë akuzat e saj dhe vërtetësinë e deklaratës së pastrueses.

“Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Vlerësoi të rregullt edhe kërkesën duke lënë në fuqi arrestin me burg. Qëndrimi i saj është bërë publik, ka pranuar faktin se banesa është vjedhur, nga të cilat 120 mijë janë një hua që vëllai i saj ka marrë për nevoja të kurimit të xhaxhait të saj të ndjerë në Amerikë. Gjithçka në të ardhmen do të kompensohej me një truall në zonë pranë ‘21 Dhjetorit’. Prokuroria para disa ditësh ka bërë një sekuestro të një apartamenti të regjistruar në emër të ish-bashkëshortit të saj. Prokuroria duhet të provojë deklaratën. Duhet të provohet vërtetësia e deklarimit të dhënë nga Rozeta Dobi.” – tha Muho.