Pas dorëheqjes së gjyqtarit Erjon Çela për dosjen ‘Gërdeci’, shorti ka caktuar Irena Gjokën për të vijuar çështjen.
Gjoka do vendosë në seancë paraprake nëse ish-ministri Fatmir Mediu do të dalë para gjykatës si pandehur për shpërdorim detyre. Çela u tërhoq nga gjykimi i dytë i çështjes me argumentin se ishte shprehur njëherë për këtë dosje.
Në argumentet e tij në vitin 2021, gjyqtari Çela tha se prej vitit 2012, Mediu nuk ka pasur imunitet për t’u hetuar dhe veprat penale për shpërdorim detyre të dyfishtë për të cilat hetohej ishin parashkruar.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë që rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për të rihapur çështjen, me argumentin se vepra penale ishte parashkruar.
Por Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e shkallës së parë, duke konfirmuar kërkesën e SPAK-ut. Gjykata e Lartë, më 12 dhjetor 2021, la në fuqi vendimin e Apelit, duke rrëzuar rekursin e Mediut, i cili kërkonte lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë.
Ish-ministri Mediu e ka quajtur politik vendimin për rihapjen e çështjes duke theksuar se ajo është gjykuar njëherë dhe se nuk ka asnjë argument të ri nga ana e prokurorisë.