Të paktën 47 mijë viktima janë raportuar zyrtarisht në Turqi e Siri nga tërmetet shkatërrimtare të 6 shkurtit që goditë dy vendet. Në Turqi janë raportuar mbi 41 mijë viktima ndërsa Siria fqinje numëron 5814.
Ndërkohë numri i të lënduarve në dy vendet është mbi 100 mijë. Në Turqi në shumë zona operacionet e kërkim-shpëtimit janë ndërprerë megjithatë ditët e fundit në vend janë nxjerrë dhjetëra persona 12 ditë pas tërmeteve.
Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në provincën Kahramanmaras, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 11 provinca, duke përfshirë Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye, Sanliurfa dhe Elazig.
Më shumë se 250,000 personel kërkimi dhe shpëtimi po punojnë aktualisht në terren, tha kreu i Presidencës Turke të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), Yunus Sezer në një konferencë për shtyp.
Të paktën 485,682 njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti deri më tani, shtoi ai.
Sezer tha gjithashtu se mbi 3,200 personel i huaj nga vende të ndryshme po vazhdojnë aktualisht punën në terren.