Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të hënën bëri thirrje që Suedia dhe Finlanda të pranohen në NATO “sa më shpejt që të jetë e mundur”, gjatë një takimi me ministrin e jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në Ankara. Megjithatë, ministri i jashtëm turk hodhi poshtë mundësinë e ndonjë lidhjeje mes pranimit të Helsinkit dhe Stokholmit në NATO dhe kërkesës së Turqisë për avionë luftarakë F-16, sipas VOA.
Turqia ka zvarritur procesin e anëtarësimit të dy vendeve nordike në aleancën e NATO-s, duke cituar shqetësimet e saj për terrorizmin.
Ligjvënësit e Kongresit amerikan e kanë lidhur miratimin e marrëveshjes për dërgimin e avionëve F-16 në Turqi me tërheqjen e kundërshtimit të Ankarasë ndaj zgjerimit të NATO-s.
“Çështja e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO nuk është një çështje dypalëshe mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara. Natyrisht, ne e mbështesim fuqishëm anëtarësimin e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne kemi besim se NATO do t’i mirëpresë ato zyrtarisht së shpejti dhe kjo do të forcojë sigurinë e çdo anëtari të saj, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë“, tha sekretari Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në Ankara.
Zoti Cavusoglu përsëriti qëndrimin e Turqisë se ajo është e gatshme të miratojë anëtarësimin e Finlandës në NATO përpara Suedisë.
Turqia është ankuar për atë që e sheh si tolerancë të Stokholmit ndaj mbështetjes për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, e cila është organizatore e një kryengritje 39-vjeçare kundër Ankarasë.
Ndonëse e pranoi se Suedia ka bërë ndryshime kushtetuese në përpjekjet për të plotësuar kërkesat e Turqisë, ai tha se duhej bërë më shumë për të “bindur parlamentin dhe popullin tonë”.
“Kjo varet nga mundësia e Suedisë për të marrë hapa të shpejtë dhe të mirë dhe më pas nga aftësia jonë për të bindur parlamentin dhe popullin tonë për ta miratuar kërkesën e saj për anëtarësim në NATO. Lidhur me Finlandën, presidenti ynë ia ka bërë të qartë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s javën e kaluar se ne mund të ndjekim një rrugë tjetër. Në fund të gjithë duhet të inkurajojnë Suedinë që të ndërmarrë hapa konkrete”, tha ai.
Ankaraja po përpiqet të modernizojë flotën e saj të avionëve F-16 pasi u përjashtua nga projekti për prodhimin e avionëve të avancuar luftarakë F-35 për shkak të blerjes së një sistemi raketor rus të mbrojtjes ajrore.
Duke nënvizuar mbështetjen e administratës amerikane për marrëveshjen me Turqinë për avionët F-16, Sekretari Blinken tha se ajo është “shumë e rëndësishme për përmirësimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit operacional brenda NATO-s dhe në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara”.