Vendosni fjalën kyçe....

Bizneset dyfishojnë investimet në blerjen e tokave gjatë vitit 2021


Investimet në toka e troje të bizneseve shënuan një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2021.

Të dhënat e INSTAT në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve tregojnë se në vitin 2021 bizneset në të gjithë vendin investuan në blerjen e tokave rreth 20 miliardë lekë (172 milionë euro), nga 9.3 miliardë lekë që ishin në vitin 2020 me një rritje 116%.

Shumat që bizneset investuan në toka ishin gati dyfishi i mesatares sipas viteve nga 2010 me 2020.

Pas krizës financiare të vitit 2008 që u pasua edhe një krizë të tregut të pasurive të paluajtshme bizneset i ulën ndjeshëm investimet në blerjen e tokave. P.sh. në vitin 2010 investimet e bizneseve në këtë zë ishin 1,3 miliardë lekë rreth 10 milionë euro.

Tregu i tokës në vendin është i deformuar për shkak të mungesës së planeve rregulluese. Ideja se po pate tokë bujqësore mund të ndërtosh edhe shtëpi e ka rritur çmimin e tokës bujqësore në tregun e lirë edhe në nivelet më të larta në shkallë europiane.

Sakaq kompensimi i tokës për interes publik është me çmime të papërfillshme në krahasim më vendet e tjera. PSh në Kroaci kur ndërtohet një rrugë, vlera e shpronësimit kalon disa herë atë të ndërtimit. Kështu funksionon në shumicën e vendeve të zhvilluara.

Investimet në toka po nxiten edhe nga orientimi i modelit ekonomik drejt ndërtimit. Rritja e numrit të lejeve të ndërtimit vitet e fundit dhe rritja e çmimeve të banesave po orienton investimet drejt sektorit të ndërtimit. Blerja e tokave është një proces përgatitor për të ndërtuar ose për të investuar në një formë tjetër.

Shumë biznese po çojnë fondet e lira në blerjen e tokave, të cilat më pas i kanë si mjet qiradhënie kundrejt investimeve për energji të rinovueshme (parqe diellore) apo sera që zhvillohen në bashkëpunim me të huajt.

Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, tregu i tokave në vendin tonë vuan nga çështjet ligjore, fragmentarizimi, bashkëpronësia.

Sipas agjentëve, problematika e trojeve nis që me mungesën e informacionit që ka pronari mbi tokën që zotëron, problematika me kufijtë e papërcaktuar mirë apo ku sipërfaqja në letra me sipërfaqen në reale është e ndryshme.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor