Vendosni fjalën kyçe....

Gjykimi në Hagë për UÇK-në, Pjetër Shala akuzohet për krime në Kukës


 

Pjetër Shala u deklaruar i pafajshëm, në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës së Hagës, por aktpadia që rëndon mbi ish pjesëtarin e UÇK-së, është e rëndë.

Ai akuzohet mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me katër akuza për krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme

Sipas aktakuzës, pretendohet se krimet u kryen ndërmjet 17 majit 1999 dhe 5 qershorit të vitit 1999 kundër personave të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, që pretendohet se shfrytëzohej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Dhomat e Specializuara thonë se deri më tani janë afruar tetë persona për të marrë pjesë në proces si viktima dhe procesi i paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrje si viktimë, është ende i hapur.

“Personat të cilët mund të vërtetojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si rezultat i drejtpërdrejtë i një krimi të pretenduar në Aktakuzën e konfirmuar të korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces. Këtu mund të përfshihen si personat që kanë pësuar dëm të drejtpërdrejtë, ashtu edhe ata që kanë pësuar dëm jo të drejtpërdrejtë, për shembull, për shkak të lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Pjetër Shala ish-pjesëtar i UÇK-së, u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë-arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Gjykata Speciale.

Në Hagë po mbahen edhe ish-krerët eUshtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Gjykimi ndaj tyre do të fillojë më 3 prill të këtij viti, ka konfirmuar kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith.