Sekretariati për Procedurat dhe Votimet i Kuvendit të Shqipërisë ka marrë vendimin për përjashtimin e 6 deputetëve të Partisë Demokratike nga seancat plenare.
Me kërkesë të deputetëve socialistë, u përjashtuan për 5 ditë deputetja Lindita Metalia dhe për 3 ditë deputetja Greta Bardeli ndërsa dënimin më afatgjatë e morën deputetët Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Sorina Koti të cilën nuk do marrin pjesë në 10 seanca të Kuvendit.
Të enjten e kaluar deputetët e PD-së bllokuan foltoren dhe i ranë bilbilave duke bërë që socialistët të shfrytëzonin sërish situatën duke kërkuar përjashtimin e tyre.
Deri më tani grupi parlamentar i Partisë Demokratike, është përgjysmuar pasi deputetët janë përjashtuar me votim të socialistëve për shkak të çështjen “McGonigal” e cila nga opozita është bërë “kalë beteje” në Kuvend dhe jashtë tij duke sjellë protesta.
Seanca e kërkuar mocion me debat nga opozita do zhvillohet më 2 mars dhe në të do marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama me të cilin deputetët e pakicës do përpiqen të marrin përgjigje për takimet me ish-agjentin e FBI-së të përmendura në aktakuzën e autoriteteve të drejtësisë në SHBA.
Ndërsa kërkesa tjetër për ngritjen e Komisionit Hetimor për dosjen në SHBA nuk u pranua nga shumica qeverisëse në Kuvend. Ky mos pranim ka sjellë edhe bllokimin e foltoreve dhe seanca të tensionuara në Parlamentin e Shqipërisë.