Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se Rusia do ta pezullojë pjesëmarrjen në traktatin me Shtetet e Bashkuara që kufizon arsenalin strategjik bërthamor të të dyja palëve, sipas REL.
“Në këtë aspekt, jam i detyruar të njoftoj se Rusia është duke e pezulluar pjesëmarrjen në traktatin për armët strategjike”, ka thënë Putin në fjalimin para kombit.
Ai ka thënë se Rusia nuk po tërhiqet nga marrëveshja, mirëpo vetëm po e pezullon pjesëmarrjen.
Putin ka thënë, po ashtu, se Rusia duhet të jetë e gatshme që të testojë armët bërthamore, nëse Shtetet e Bashkuara e kryejnë të parat një testim të tillë.
I ashtuquajturi START-i i Ri, është traktati i vetëm për armët bërthamore në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili është zgjatur për pesë vjet më 2021.
I nënshkruar fillimisht më 2010, ky traktat ua kufizon palëve posedimin e kokave bërthamore me rreze të gjatë në 1.550, shifër më e vogël sesa ajo që ka qenë në marrëveshjen fillestare.