Kreu i KQZ-së Celibashi komentoi mbrëmjen e sotme çështjen e regjistrimit të PD-së në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ai tha se ka vetëm një PD por duhet të vendoset se cili organ drejtues i saj do regjistrohet në zgjedhje duke fituar të drejtën për këtë.
Celibashi tha gjithashtu se KQZ-ja pret vendimin e gjykatës për të vijuar me procedurat, duke theksuar se data 6 mars është e fundit për një parti politike për të bërë kërkesë për t’u regjistruar në zgjedhje.
“Ka vetëm një PD dhe nuk është çështja se cila prej PD-së do të regjistrohet. Diskutimi është se cili është organi drejtues i kësaj partie politike dhe për këtë çështje pjesë të caktuara të kësaj partie janë në konflikt gjyqësor më njëri-tjetrin për të përcaktuar se kush është drejtuesi i kësaj forcë politike. Lidhet me kush ka të drejtën që të paraqesë në emër të PD-së të drejtën për tu regjistruar si subjekt zgjedhor.
Është atribut i gjykatës të disponojnë mbi organet drejtuese në rast kur ka konflikt juridik për këtë çështje. Kam dashur të them se në kushte të këtij realiteti që të gjithë e shikojnë, që ka një problem në lidhje me të drejtën e përfaqësimit të PD-së dhe në kushtet kur kjo e drejtë dhe kjo çështje është objekt i një konflikti gjyqësor mund të jetë rasti që ky subjekt politik të dështojë për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor. Shpresojmë që kjo është të ketë një zgjidhje të qartë dhe definitive nga pikëpamja ligjore. Indirekt të kemi një proces zgjedhor të paktën në administrimin e tij në përputhje me të gjitha standardet e një gare të vërtetë.
Vlerësimi mbi kërkesën për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor do të bëhet kur ta kemi këtë kërkesë të paraqitur nga kushdo që e ka atributin për ta paraqitur këtë kërkesë. Është e vështirë të ndërtojmë hipoteza dhe vendimmarrje se mund të jenë gati të pafundme. Është fakti që ne do të vendosim në momentin që do ta kemi këtë kërkesë aty do të bëjmë besueshmërinë në dokumentet që do ta shoqërojnë këtë kërkesë. Data 6 mars është data e fundit ne të cilën çdo parti politike që ka interesin për t’u regjistruar ne zgjedhje duhet të paraqesë kërkesën. Çdo kërkesë e paraqitur pas kësaj date s’ka vlerë.” – u shpreh Celibashi.
Vendimi mbi vulën e simbolet e PD-së do jepër nga Gjykata e Apelit më 3 mars. Të njëjtën ditë opozita ka thirrur protestë kombëtare. Fillimisht Gjykata njohur statutin e Grupit për Rithemelimin të Berishës, po pas ankimimit të grupit të Alibeajt, çështja ka shkuar në Apel.