Vendosni fjalën kyçe....

Spaho shpalos strategjinë: S’rrëzohet Rama me votë, do radikalizojmë aksionin


Deputeti i PD-së Edmond Spaho pranoi mbrëmjen e sotme se kryeministri Rama nuk largohet me votë dhe se për ta rrëzuar nga pushteti kërkohet radikalizim i reagimit të opozitës.

Ai ishte i ftuar në emisionin ‘Frontline’ në News24, ku tha se Rama i ka manipuluar të gjitha zgjedhjet në bashkëpunimet me grupet e drogës, që nga koha kur ishte kryetar bashkie.

Sipas Spahos, opozita do organizojë mosbindjen civile duke bllokuar rrugët e vendit.

“Rama me votë nuk largohet sepse të gjitha zgjedhjet i ka manipuluar. E ka një ves që e ka zhvilluar kur ishte kryetar bashkie, edhe bashkëpunimin me të fortët e drogës. këto vese i sofistikoi kur u bë kryeministër. Zgjedhjet e humbura nga ne janë vjedhur nga Edi Rama. Në zgjedhjet e 2016-ës vetë Rama është regjistruar, ai tjetri është kapur duke vjedhur vota dhe sot e ke ministër Drejtësie. Çfarë bëri drejtësia për Dosjen e Dibrës? Këta të vegjlit hidhen në ujë me porosinë e të mëdhenjve. Ne zgjedhje në kushtet aktuale, ku interesi i ndërkombëtarëve është sipërfaqësor, është e vështirë të rrëzohet me zgjedhje. Ne do e rrëzojmë me mosbindje civile, do bllokojmë rrugët. Rama nuk rrëzohet me bilbil por këto janë akte për të shprehur shqetësimin. Do e bëjmë mosbindjen sepse ky regjim rrëzohet vetëm me radikalizim të situatës. Shqipëria nuk është vend demokratik. Po protestojmë për të ruajtur demokracinë dhe pluralizmin. Qëllimi i protestave është largimi i Edi Ramës nga kryeministria.” – tha Spaho.

Deklarata e Spahos për radikalizim të aksionit opozitar vjen teksa kreu i PD-së prej disa javësh ka shpalosur planin e opozitës për revolucion paqësor.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm Noka, një revolucion i tij mund të zgjasë me ditë, javë, muaj ose vite.