Presidenti kinez Xi Jinping do udhëtojë në Moskë për një takim me homologun e tij rus Vladimir Putin në muajt e ardhshëm, pohoi të martën Wall Street Journal. Raportet e udhëtimit vijnë pasi Pekini duket të marrë një rol udhëheqës në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Vizita do bëhet diku në prill ose në fillim të majit, tha gazeta amerikane, duke cituar ‘njerëz të njohur me planin’. Burimet pohuan se Xi do përdorë samitin me Putinin për të nxitur bisedimet e paqes shumëpalëshe që synojnë t’i japin fund luftimeve në Ukrainë.
Raundet e njëpasnjëshme të bisedimeve të paqes dështuan vitin e kaluar, me Kievin që u tërhoq nga negociatat në Stamboll në prill. Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, njoftoi javën e kaluar se Pekini së shpejti do publikojë një dokument që përshkruan ‘pozicionin e tij mbi zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë’. Wang tha se plani do respektojë ‘integritetin dhe sovranitetin territorial’, si dhe ‘shqetësimet legjitime të sigurisë’ të Rusisë dhe Ukrainës.
Megjithatë, ministri sugjeroi se shtytja e Kinës për paqe mund të arrijë të njëjtin fund si negociatat e vitit të kaluar, pasi ‘disa forca mund të mos duan të shohin të konkretizohen bisedimet e paqes’, në atë që u pa si një referencë e fshehtë për ndërhyrjen e pretenduar të Perëndimit në Stamboll.
Wang mbërriti në Moskë të martën dhe Wall Street Journal tha se ai do diskutojë vizitën e Xi me zyrtarët rusë. Wang është planifikuar të takohet me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov të mërkurën, por është ende e paqartë nëse ai do të flasë me Putinin.
Kina ka mbajtur një qëndrim relativisht asnjanës ndaj Ukrainës, me Ministrinë e saj të Jashtme që vazhdimisht ka bërë thirrje për bisedime paqeje. Pekini ka kundërshtuar t’i bashkohet regjimit të sanksioneve kundër Rusisë dhe ka forcuar lidhjet e tij tregtare me Moskën që nga fillimi i operacionit ushtarak në Ukrainë shkurtin e kaluar.