Një 37-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në kryeqytetin grek Athinë pas një shkëmbimi zjarri ku dyshohet se është përfshirë një grup i njohur si ‘Team L’ i përbërë nga shtetas shqiptarë shkruan media greke.
Banda e njohur edhe për autoritetet, duket se përbëhej nga shtatë shtetas që mbrëmjen e së martës u përfshinë në një ngjarje të përgjakshme, ku njëri prej tyre hapi zjarr dhe një klient me profesion hidraulik humbi jetën.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një kafene në ‘Nea Ionia’ ndërsa To Vima shkruan se ka siguruar videon e largimit nga vendi i ngjarjes së anëtarëve të grupit pas përplasjes me armë.
Viktimë nga të shtënat ka mbetur një 37-vjeçar shqiptar me profesion hidraulik, që nuk kishte lidhje me ngjarjen po ndodhej në kafene duke parë një ndeshje futbolli me një shokun e tij.
Autorët janë të njohur për autoritetet
Sipas raportimit të MEGA dhe gazetarit Vasilis Lambropulos, bëhet fjalë për anëtarë të një bande të njohur për policinë. Ajo përbëhet nga rreth 10 persona, me kombësi shqiptare, të cilët janë aktivë gjatë natës në rastet e zhvatjes, trafikut të drogës dhe trafikut të qenieve njerëzore.
Zona e veprimit të tyre është qendra e Athinës, pranë stacionit të Larisës, ndërsa selia e tyre është një klub në Sepolia, prej nga ka marrë edhe emrin banda.
Sipas raportit, banda e banditëve ka lidhje me kriminelë brenda burgjeve dhe ata duket se veprojnë edhe si ‘truproje’ për kriminelë të njohur, me përfshirje në incidente rrahjeje.