Vendosni fjalën kyçe....

Digat e mëdha, Komiteti: Rreziku i çarjes s’është i ulët, rishikim edhe standardit të projektimit


Rreziku i çarjes së digave të mëdha në vend është ndryshuar nga Komiteti Kombëtar i Digave i cili e ka rritur atë nga 2 në 3.75 duke argumentuar se shumica e këtyre veprave kanë moshë mesatare mbi 40 vjeçare.

Komiteti bëri këto rekomandime dhe ndryshime pas një kërkese të Ministrisë së Mbrojtjes për marrje mendimi lidhur me raportin e konsoliduar të vlerësimit të rrezikut në Shqipëri. Komiteti propozoi që disa qarqe ku nuk ka diga të mëdha energjie të rishikohet risku.

“Komiteti Kombëtar i Digave vendosi të miratojë rivlerësimin e nivelit të rrezikut për çarjet e digave nga 2 në 3.75 në raportin e konsoliduar të rishikuar për vlerësimin e rrezikut të Fatkeqësive në Shqipëri të përgatitur nga Agjencia Kombëtarë e Mbrojtjes Civile në lidhje me çarjet e digave.

Ti rekomandojë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:

Përfshirjen e KKDM në grupet kryesore të interesit (pika 4 e Raportit të Konsoliduar) duke u bazuar në detyrat që ka ky institucion sipas legjislacionit në fuqi:

Rishikimin e rikut të çarjes së digave për prodhim energjie në qarqet Durrës, Gjirokastër dhe Vlorë duke qenë se në këto qarqe nuk ka diga të mëdha për prodhim energjie.

Rishikimin e paragrafit të fundit të pikës 5 të raportit të konsoliduar dhe heqjen e fjalisë së fundit të këtij paragrafi duke qenë se probabiliteti i çarjes së një dige është e lidhur me gjendjen aktuale të digave, moshën e tyre sistemet e monitorimit të tyre si dhe mirëmbajtjen nga shfrytëzuesit e digave. Aktualisht duke u nisur nga fakti që mosha mesatare e digave në Shqipëri është mbi 40 vjeçare që sistemet e monitorimit mungojnë në afro 90 për qind të digave të mëdha që shfrytëzohen nga bashkitë e vendit është e dobët duhet të arrihet në përfundim që probabiliteti i çarjes së digave të mëdha nuk është i ulët” thuhet në vendimin e Komitetit.

Rreziku sizmik, ndryshim i standardeve

Komiteti ka miratuar edhe një vendim tjetër sa i takon digave dhe që ka të bëjë me standardet që duhet të zbatohen në projektim dhe kontroll të digave rezistente ndaj tërmetit. Kushtet teknike të projektimit antisizmik në vend.

Anëtarët e KKDM ngritën shqetësimin e mungesës së standardit teknik shtetëror ndaj efekteve te Tërmetit për projektimin e digave të reja si dhe për monitorimin, sigurinë dhe projektet e rehabilitimit te digave ekzistuese në vendin tone.

Në diskutime u vu theksi tek domosdoshmëria e këtij standardi duke u bazuar ne eksperiencat e vendeve europiane, rekomandimet e ICOLD te dhëna ne Buletinet përkatëse si dhe standardet teknike bashkëkohore te vendeve qe ndodhen në zonat me sizmicitet të lartë në fushën e rezistencës së digave të mëdha ndaj Tërmetit.

Standardi i ri duhet tё synojё zëvendësimin e Kushteve teknike nё fuqi tё projektimit antisizmik tё digave, tё cilat nuk janё rishikuar qe prej 35 vitesh, me dispozita tё reja teknike për t’u zbatuar nё fushën e projektimit antisizmik te tyre si dhe te kontrollit te sigurisë ndaj riskut sizmik.

Bazuar ne situatën aktuale, u ra dakord për domosdoshmërinë e hartimit dhe miratimit zyrtar te Standardit teknik shtetëror në lidhje me normat e kërkuara për rezistencën ndaj Tërmetit në projektimin e digave të reja si dhe në monitorimin, sigurinë dhe projektet e rehabilitimit te digave ekzistuese ne vendin tone sipas legjislacionit në fuqi nga institucionet përgjegjëse.

Ne përfundim te diskutimeve, KKDM vendosi ti kërkoj MIE përgatitjen e Standardit teknik Shtetëror për Projektimin dhe Kontrollin e Digave rezistonte ndaj Tërmetit” nënvizon Komiteti. /N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor