Vendosni fjalën kyçe....

Duma ruse voton për pezullimin e Traktatit të Kufizimit të armëve bërthamore


Dhoma e Ulët e Parlamentit rus, e njohur si Duma e Shtetit, votoi të mërkurën për pezullimin e pjesëmarrjes së Rusisë në Traktatin për Reduktimin e Armëve Bërthamore me Shtetet e Bashkuara.

Votimi u bë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi një ditë më herët se Rusia do ta pezullojë pjesëmarrjen në Traktatin START-i i Ri.

Votimi në Dhomën e Lartë të Parlamentit pritet të bëhet gjatë pasdites.

I nënshkruar në vitin 2010 nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, dhe homologu i tij rus, Dmitry Medvedev, traktati START-i Ri kufizon numrin e kokave bërthamore për SHBA-në dhe Rusinë.

Ky traktat hyri në fuqi në vitin 2011 dhe më vonë – më 2021, kur presidenti i SHBA-së, Joe Biden, mori detyrën – u zgjat edhe për pesë vjet të tjera. Përmes këtij traktati angazhohen inspektorë amerikanë dhe rusë për t’u siguruar që të dyja palët po e respektojnë traktatin.

Sipas marrëveshjes, Moska dhe Uashingtoni zotohen të vendosin jo më shumë se 1.550 koka bërthamore strategjike dhe maksimumi 700 raketa dhe bombardues me rreze të gjatë veprimi.

Secila palë mund të kryejë deri në 18 inspektime në vit në vendet strategjike të armëve bërthamore për t’u siguruar që pala tjetër po e respekton traktatin.

Sidoqoftë, inspektimet e tilla u pezulluan në mars të vitit 2020 për shkak të pandemisë COVID-19.

Bisedimet ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit për rifillimin e inspektimeve ishin planifikuar të zhvillohen nëntorin e kaluar në Egjipt, por Rusia i shtyu ato dhe, që nga atëherë, asnjëra palë nuk ka caktuar datë të re.