Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë për të rrëzuar rekursin e Prokurorisë për hetim ndaj ‘Hakmarrjes për Drejtësi’.
Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo në një dalje për mediat, tha se shfajësimi i ‘Hakmarrjes për Drejtësi’ është një zhvillim ogurkeq, që hedh dritë mbi reformën në drejtësi dhe integritetin e saj.
“Për publikun, një apel: mos u gënjeni se krimi i organizuar, meqë ka veshur kostum të shtrenjtë, nuk kthehet te rrugët e vjetra të terrorit”, tha zëdhënësja e PD-së, Garo.
Deklarata e Partisë Demokratike
Hakmarrja për Drejtësi, grupi që ka në repertorin e tij nga aktet terroriste te krimet kundër individëve dhe atentatet me agjende politike, është shfajësuar nga Gjykata e Lartë. Ky është një zhvillim ogurkeq, që hedh dritë mbi reformën në drejtësi dhe integritetin e saj, por më shumë dhe më dhimbshëm se kaq, mbi sigurinë publike, rendin kushtetues dhe garancinë e jetës dhe biznesit.
Pa harruar më të rëndësishmen: inkriminimin e politikës, shuarjen e asaj vije të hollë që ndan krimin nga politika, mungesa e së cilës ka prodhuar ato vende që njihen si ‘republika bananesh’ apo oligarki politike alla-Putin. Hakmarrja për Drejtësi ka qenë kundërshtar i rreptë i shtetit sa herë në Shqipëri ka pasur një të tille, dhe mik i pushtetit sa herë ky ka kapur shtetin, siç ndodh në erën që mban erë të Edi Ramës. Për publikun, një apel: mos u gënjeni se krimi i organizuar, meqë ka veshur kostum të shtrenjtë, nuk kthehet te rrugët e vjetra të terrorit! Siç thotë populli: ujku ndërron qimen, por nuk e harron zakonin!
Edi Rama ka shfajësuar 10 anëtarë të bandës më të rrezikshme terroriste në historinë e vendit “Hakmarrja për Drejtësi”, e cila ka mbi shpinë 17 akuza të renda. Kjo organizatë kriminale, më e madhja në vend në vitet 1992-1996, është përgjegjësi për një sërë veprash kriminale për të cilat u dhanë edhe dënime të përjetshme. Ndër to numërohen vrasje, grabitje me armë me pasojë vdekjen e njerëzve të pafajshëm, plagosjen, grabitjen e fëmijëve, pengmarrje, gjobëvënie, vendosje eksplozivi, vrasje të efektivit të policisë, etj.
Ne duhet të alarmohemi nga ky shfajësim i terrorit, të jemi në këmbë, në parlament dhe në sheshe, demokratë, socialistë e të paparti. Nesër para parlamentit dhe me 3 mars para kryeministrisë, t’i tregojmë shtetit të kapur se pushteti dhe Shqipëria janë të shqiptarëve. Edi Rama dhe Rilindja nuk mund të shfajësojnë terrorin dhe të terrorizojnë qytetaret, pa u hyre gjemb në këmbë. Shfajësimi i Hakmarrjes për Drejtësi duhet të shndërrohet në Drejtësi që merr hak për të gjithë ata që, si Pushteti, si Drejtësia e re, i hedh në gojë të ujqërve të krimit.