Vendosni fjalën kyçe....

Shqiptarët shpenzime rekord “nga xhepi” për shëndetin, 350 milionë euro në 2021, bizneset fituan 85 mln euro


Viti 2021 ka shënuar rekord në shpenzimet e qytetarëve për shëndetin e tyre, i ndikuar në pjesën më të madhe nga efektet e pandemisë së Covid-19.

Të dhënat e INSTAT për treguesin e “Shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale” bëjnë të ditur se të ardhurat e kësaj kategorie në vitin 2021 arritën në gati 41 miliardë lekë, ose 350 milionë euro, duke shënuar një rekord historik.

Në krahasim me mesataren e 2018-2019, kur vendi ishte në një periudhë normale shëndetësore, të ardhurat pothuajse janë dyfishuar.

Kjo rritje e ndjeshme e të ardhurave ka ardhur pavarësisht se numri i punonjësve të punësuar në këtë sektor ka mbetur pothuajse i pandryshuar në rreth 12 mijë persona dhe investimet gjithsej janë zgjeruar lehte më 6.7%. Numri i ndërmarrjeve ishte 3,438, pothuajse i pandryshuar nga viti i mëparshëm.

Edhe fitimet e bizneseve që veprojnë në aktivitetin e shëndetësisë janë zgjeruar ndjeshëm, duke arritur në 10 miliardë lekë, ose 85 milionë euro në vitin 2021, nga 31 milionë euro në 2019-n.

Norma e fitimit të këtij sektori kërceu gjithashtu në 24%, nga 11% që ishte mesatarja e 2018-2019, duke u renditur se aktiviteti i dytë në vend me kthimin më të lartë, pas pasurive të paluajtshme.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor.