Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat për korrupsion, SHBA-ja do ekstradojë ish-presidentin peruan


Departamenti Amerikan i Shtetit ra dakord të ekstradonte ish-presidentin peruan Alejandro Toledo në atdheun e tij për t’u përballur me akuzat për korrupsion e pastrim parash, zbuloi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Lima të martën përmes Twitter. Ai mund të dënohet deri në 20 vjet e gjashtë muaj burg.

Toledo akuzohet se ka marrë rreth 32 milionë dollarë ryshfet nga kompania braziliane e ndërtimit ‘Odebrecht’ teksa shërbente si president midis viteve 2001 dhe 2006 në këmbim të dhënies së një kontrate fitimprurëse për kompaninë, për të ndërtuar dy seksione të projektit masiv të Autostradës Interoqeanike që lidh Perunë jugore dhe Brazilin. Akuzat janë pjesë e hetimit të përhapur ‘Lava Jato’ (Lavazhi i makinës).

Toledo është informuar për vendimin e Departamentit të Shtetit, tha koordinatori i prokurorisë speciale të ‘Lava Jato’, Rafael Vela të mërkurën për gazetën RPP Noticias, duke e lejuar atë të dorëzohej vullnetarisht tek autoritetet peruane. Nuk i ka mbetur asnjë ankesë, theksoi Vela, duke shpjeguar se ‘debati është ezauruar’ dhe ‘pret vetëm përfundimin e vendimit’.

Toledo vazhdon të mohojë fajin e tij. Ai nuk është akuzuar penalisht në SHBA dhe jeton në Kaliforni, ku është nën mbikëqyrje elektronike me byzylyk në kyçin e këmbës.

Ish-presidenti u arrestua në vitin 2019 pasi një gjykatës amerikan miratoi kërkesën për ekstradim të Limës në vitin 2018, me arsyetimin se ishin krijuar prova ‘të mjaftueshme’ të kriminalitetit të tij. Ai u lirua me kusht në vitin 2020 dhe u vendos në arrest shtëpiak. Një gjykatës peruan në vitin 2017 e nisi procesin duke urdhëruar kapjen ndërkombëtare të Toledos.

Odebrecht pranoi vite më parë, si pjesë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë, se kishte paguar rreth 800 milionë dollarë ryshfet për qeveritë në të gjithë Amerikën Latine.

Hetimi i ‘Lava Jato’ është më i madhi në historinë braziliane, i përhapur në pjesën më të madhe të Amerikës Jugore dhe Qendrore, dhe ka rezultuar në gati 280 dënime që nga viti 2021 – më i famshmi dënimi i presidentit brazilian Luiz Ignacio Lula da Silva, i cili së fundmi u rizgjodh president pas vuajtjes së dënimit në burg.

Ish-presidenti peruan Pedro Pablo Kuczynski është nën hetim për pastrim parash të dyshuar në lidhje me Odebrecht dhe dy ish-presidentë të tjerë janë hetuar ose arrestuar. Ish-presidenti Alan Garcia po përballej me arrestimin për akuza të lidhura kur kreu vetëvrasje në vitin 2019.