Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i PL: Më 3 mars, gjykata s’mund të pranojë kërkesën e Alibeajt


Avokati i Partisë së Lirisë, Genc Gjokutaj i ka dalë në mbrojtje të Grupit “Rithemelimit” të Sali Berishës, i cili pret vendimin nga Gjykata në 3 mars, se kujt do i përkasë vula e Partisë Demokratike, atij apo grupit të Alibeajt.

Në një analizë në rretjet sociale, Gjokutaj shpjegon se si do të jetë procesi ndërsa thekson se Gjykata e Apelit Tiranë nuk do të gjykojë statutin e Rithemelimit të PD-së, të datës 11 dhjetor 2021. Po ashtu shprehet se Gjykata e Apelit është e detyruar që në fillim të gjykimit të vendosë mospranimin e ankimit të ankuesit.

 “Me datën 3 mars, Gjykata e Apelit Tiranë nuk do të gjykojë statutin e Rithemelimit të PD-së, të datës 11 dhjetor 2021, pasi:

1.Gjykata e Apelit në fillim të gjykimit, në bazë të ligjit, verifikon praninë e palëve dhe legjitimimin aktiv të tyre dhe posaçërisht legjitimimin e ankuesit (Alibeaj &Co) që ka ankuar çështjen!

2.Gjatë verifikimit të legjitimimit aktiv të ankuesit (Alibeaj & Co), Gjykata e Apelit do të konstatojë se ankuesi jo vetëm që nuk ka qenë palë në gjykimin në Shkallë të Parë, por as e ka kërkuar një gjë të tillë me kërkesë për njohjen e tyre (Alibeaj & Co) si palë e interesuar!

3.E vetmja kërkesë që ankuesit (Alibeaj & Co) kanë bërë gjatë gjykimit në Shkallë të Parë ka qenë përjashtimi i gjyqtarit të çështjes Z. Agron Zhukri nga gjykimi i çështjes! Kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtarit Z. Arben Konstandini, i cili ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Alibeaj & Co për përjashtim të gjyqtarit Z. Agron Zhukri pikërisht për shkak të mungesës së legjitimimit aktiv! Pra i palegjitimuari për të kërkuar përjashtimin e gjyqtarit të Shkallës së Parë u legjitimoka që të ankohet ndaj vendimit të këtij gjyqtari (Agron Zhukri), siç në mënyrë haptazi të kundërligjshme ka ndodhur!

4.Në këto kushte Gjykata e Apelit është e detyruar që në fillim të gjykimit të vendosë mospranimin e ankimit të ankuesit (Alibeaj & Co) për mungesë të legjitimimit aktiv të tij pa i hyrë fare dhe pa shqyrtuar shkaqet e paraqitura në ankim!

Kjo është rruga ligjore dhe kështu do të ndodhë! Kush mendon dhe shpreson ndryshe, nuk mund të ndihmohet dot as me presion politik dhe as me para!”, u shpreh avokati Genc Gjokutaj.