Deputeti i PD-së Bylykbashi denoncoi Gardën për dhunë ndaj ligjvënësve të opozitës, të cilët provuan të futen brenda sallës ku po zhvillohet seanca plenare.
Në një deklaratë për mediat ai e quajti fashist vendimin e shumicës për përjashtimin e deputetëve, me 20 të tillë deri tani.
“Me një vendim fashist mazhoranca e Ramës përjashtoi deputetët e Kuvendit nga pjesëmarrja në seancë dhe komisione. Kjo është në vazhdën e përjashtimeve të 3 seancave të fundit ku mbi 20 deputetë janë përjashtuar se kërkojnë një të drejtë kushtetuese, kontrollin e qeverisë. Kemi kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar skandalin më të paprecedentë, ku kryeministri përmes korruptimit të McGonigal synoi të shkatërronte demokracinë duke goditur opozitën.” – tha Bylykbashi.
Ai shtoi se opozita përfaqëson më shumë se 750 mijë qytetarë shqiptarë duke e quajtur antikushtetuese e të paligjshëm vendimin për përjashtimin e deputetëve.
“Sipas tij “ne kërkojmë të hetohet në themel afera e Ramës me Mcgonigal, Duçkën, Nezën dhe Deripaskën. Këtë kemi kërkuar gjithë këto kohë dhe për këtë arsye deputetët e opozitës janë të përjashtuar. Ne përfaqësojmë mbi 750 mijë zgjedhës. Kemi vendosur të mos ketë seanca normale të Kuvendit pa u garantuar kjo e drejtë kushtetuese. Kemi kërkuar sot që vendimi që na përjashtoi të anulohej si anti-kushtetues dhe i paligjshëm. Garda u urdhërua të ushtronte dhunë fizike ndaj deputetëve.” – shtoi Bylykbashi.