Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata nuk regjistroi partinë “Lëvizja Bashkë”, Qori: Duan të na mbajnë jashtë zgjedhjeve


Drejtuesi i partisë më të re politike “Lëvizja Bashkë” së bashku me aktivistët e kësaj force denoncoi nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, mosregjistrimin e saj si subjekt politik.,

Arlind Qori,  deklaroi se në historinë e këtyre 32 viteve pluralizëm kanë ndodhur poshtërsi politike të panumërta, po kurrë nuk i është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje një partie, aq më pak në shkelje flagrante e të pajustifikueshme të ligjit.

Fakti që po tentojnë ta bëjnë me Lëvizjen BASHKË tregon se deri ku mund të arrijnë zullumqarët, por tregon edhe më shumë për karakterin dhe potencialet tona”-deklaroi Qori.

Sipas tij, dokumentet për regjistrimin e “Lëvizjes Bashkë” janë dorëzuar më 9 janar 2023 dhe sipas ligjit për regjistrimin e partive, gjykata ka maksimumi 30 ditë kohë për të shpallur vendimin, por ky afat ka kaluar që më 9 shkurt.

Sipas Arlind Qorit, gjykata ka vendosur një afat të padenjë për regjistrimin e “Lëvizjes Bashkë” duke e vendosur seancën më 7 mars, një ditë pas afatit që ka vënë KQZ-ja për regjistrimin e partive dhe praktikisht gjykata nuk do të lejojë regjistrimin e “Lëvizjes Bashkë” si subjekt elektoral në zgjedhjet lokale.

Kjo është e paligjshme, e pandershme dhe e pacipë”-tha Qori rrethuar nga aktivistët e lëvizjes së re politike.