Në reagimin e parë për akuzat publike të ngritura kundër tij për korrupsion, Arben Ahmetaj zgjodhi të relativizojë provat e faktet e publikuara nga Inside Story. Ish-ministri i Financave u rikthye në Kuvend këtë të enjte, ku para se të hynte në sallën e mbledhjeve plenare u pyet nga mediat se çfarë po ndodh me të.
Iu përgjigj duke thënë se ka nisur palestrën dhe ka humbur 4 kilogram. A i ka humbur këto kilogramë vërtet nga palestra, apo për shkaqe të tjera kjo ha debat. Gjithsesi, në lidhje me akuzat i cilësoi ato si akuza të ngritura nga mercenarë.
E shpjeguar më thjeshtë, Ahmetaj nuk u mor me akuzat, por me akuzuesit. Me kaq e mbylli ‘llogaridhënien’, duke anashkaluar provat e paraqitura në Inside Story për vilën 1 milionë euroshe të Hamallaj, ku dyshohet se është pronari i vërtetë i saj. Ahmetaj shmangu komentin mbi dokumentacionet e paraqitura nga emisioni se si një vilë e porositur nga Klodian Zoto përfundoi pas një serie transaksionesh të dyshimta në pronësi të partneres së tij.
Shmangu komentin mbi pagesat që Klodian Zoto ka bërë për qëndrimin e tij në hotele luksoze nëpër Europë. Këto janë akuzat më të hershme të ngritura ndaj tij, pa folur për dosje e hetime të mëparshme, që datojnë që nga fillimi i viteve 2000 me impulset e Albtelekom.
Arben Ahmetaj zyrtarisht nuk është marrë ende i pandehur nga ana e Prokurorisë së Posaçme për aferat korruptive për të cilat akuzohet. Por, publikisht ai është shpallur fajtor tashmë dhe për këtë arsye, Kryeministri Edi Rama e ka mënjanuar totalisht, si nga Qeveria, ashtu edhe nga partia.
Por, po publikisht po tentohet që ‘Tigri i struktur’ në rastin më të mirë të rehabilitohet dhe në rastin më të keq të amnistohet për akuzat. Këtë detyrë e ka marrë përsipër Blendi Fevziu me emisionin e tij, Opinion.
Fevzo, që ka bërë me dhjetra emisione për inceneratorët, duke u bërë këtyre koncesioneve gjyqin publik, tani kërkon që po si gjykatës për publikun të pastrojë Arben Ahmetajn nga gjithë akuzat e ngritura kundër tij.
Si? Përkundër emisioneve të organizuara për inceneratorët me të ftuar, analistë dhe ekspertë me Ahmetajn Fevziu do të jetë i vetëm. Nuk do të ketë asnjë analist, asnjë ekspert, asnjë gazetar për ta kundërshtuar, po një intervistë tek a tek me kokën e koncesionit të inceneratorëve.
Për një shikues naiv emisioni mund t’i duket krejtësisht normal, madje edhe Fevziu mund t’i duket i pavarur dhe i ashpër me të ftuarin, me pyetje të drejtpërdrejta. Por, kush e njeh mirë se si funksionon prej kohësh Opinion e kupton se e gjithë intervista është një qokë që Blendi Fevziu ja bën Arben Ahmetajt.
Intervista e kurdisur nuk ka për qëllim që të nxjerrë të vërtetat. Qëllimi i saj është përplasja për çështje periferike, ku Arben Ahmetaj të ketë mundësi të manovrojë dhe përçojë mesazhe të koduara në formë presioni Kryeministrit Edi Rama, pa cekur thelbin e gjithë akuzave publike që provojnë se thellësia kohore e korrupsionit të tij nuk janë vetëm inceneratorët.
Ahmetaj është peshkaqeni i korrupsionit 20-vjeçar, që me impulse e Albtelekom, për të vijuar më pas me mosdeklarim pasurie, fshehje të saj në emër të të afërmve, lobim për firmat turke për ndërtimin e Skavicës, e deri te qershia mbi tortë, vila 1 milionë euroshe e fshehur m’u para hundës së dy prokurorëve të SPAK, Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi.
VINI RE: Ky material është pronësi intelekuale e Vox News