Në Kuvendin e Kosovës dhe në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës pritet të votohet sot marrëveshja e lëvizjes së lirë me letërnjoftime mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që pas hyrjes në fuqi, do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnja, sipas REL.
Më 8 shkurt, Qeveria e Kosovës kishte miratuar këtë marrëveshje, ndërsa e njëjta pritet të ratifikohet sot në Kuvend.
Ndërsa, nëse marrëveshja miratohet sot në Këshillin e Ministrave, e njëjta dërgohet më pas për miratim në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.
Kjo marrëveshje është një prej tri marrëveshjeve të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Marrëveshjet për letërnjoftime, diploma dhe vende pune, në pritje pas nënshkrimit
Pa dokumente në Bosnje: “Nuk mund ta dëshmosh se je njeri”
Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse.
Më 2014, Kosova vendosi masën reciproke sa i përket regjimit të vizave për shtetasit e Bosnje e Hercegovinës.
Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja. Radio Evropa e Lirë, vitin e kaluar solli rrëfimet e disa qytetarëve, të cilët thanë se po presin që të ndodhë heqja e vizave, pasi kjo do të nënkuptonte për ta “fundin e agonisë”.
Vitin e kaluar, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.