Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në një intervistë për emisionin “Opinion” i është përgjigjur të gjitha akuzave që e kanë vënë atë në shënjestër të medias dhe opinionit publik lidhur me çështjen e inceneratorëve.
Ahmetaj u përgjigj për akuzat mbi pagesat e hoteleve nga Klodian Zoto, lëshimin nga Edi Rama, “luftën që i vjen nga brenda PS-së si dhe dha një koment për ish-vartësen e tij të arrestuar, Alda Klosi.
Akuzat për çështjen e inceneratorëve
Ish-ministri Ahmetaj mohoi kategorikisht që letrat e firmosura prej të përbëjnë lidhje për çështjen e inceneratorëve që ka çuar në burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako.
Në kohën Arben Ahmetaj mbante detyrën e ministrit të Zhvillmit Ekonomik dhe Tregtisë, në datën 14 Prill 2014 ka firmosur një letër ku shprehte dakordësinë për inceneratorin e Elbasanit.
Por këtë dokument Ahmetaj e quajti “letër të vdekur”.
“Kjo letër ka vlerën nul nga ana e procedurës sepse nuk ka i referohet procedurës, nuk ndodhi kurrë vendimi i qeverisë dhe kërkohet mendim për projektimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues, dhe kjo letër ka vdekur”-deklaroi Ahmetaj.
Pagesat e hoteleve nga Zoto
Lidhur me akuzat për pagesat në hotele Ahmetaj tha se është spekulim dhe se ai nuk ka nevojë t’i paguajnë hotelin.
“Unë dhe Klodian Zoto… Do të them dy gjëra, për njërën s’dua të më fyesh. I je referuar një…është e rëndësishme të ë dëgjosh. I je referuar një spekulimi të pastër. Nuk është i vërtetë. Nuk është i vërtetë. Nuk kam fjetur unë, Nuk kam paguar unë me kartën e Zotos, nuk kam udhëtuar me të. S’ma ka ofruar asnjë herë kartën. Janë spekulime. Ishalla do Zoti që të arrini të pyesni ndonjë nga ata. Si do më thotë mua ky hotel që; ju s’keni fjetur këtu. Pse duhet të pyes unë?! Sot me këtë rezervim je në Madagaskar, dhe në fakt je me mua këtu. Me booking.Vetëm divident kur kam qenë në privat, 1 mln dollarë”-deklaroi ish-ministri i Financave.
Lëshimi nga Edi Rama
Ndërsa kryeministri Edi Rama duket se e lëshoi ish-zëvendësin e tij kur tha se “kush merr dardha e mollë pas shpine, ka punë me drejtësinë”, Ahmetaj iu përgjigj duke sugjeruar që shefi i tij në PS të mos bëjë gjykatësin.
Ahmetaj theksoi se nuk i ka kërkuar asnjëherë ndihmë Ramës.
“Unë Edi Ramës nuk i kam kërkuar ndonjëherë ndihmë. Po them vetëm kaq. Nuk do desha të isha në vendin e Kryeministrit që të pretendoja të bëja gjykatësin. Ai për mua, sugjerim, të bëjë atë që bën më mirë, Kryeministrin. Gjykatësi është çik i sikletshëm, duhet të njohësh procedurat me detaje.”-tha Ahmetaj.
Akuzat nga kolegët e PS
Ish-ministri i Financave, Ahmetaj pohoi se nuk ka qenë kaq i fuqishëm sa të quhej “koka e inceneratorëve” siç janë aludimet se quhet ai nga kolegë brenda PS-së, sa të lëvizte qeverinë.
“A jam takuar në Maltë me Klodian Zoton? Kurrë! Ti flet me kolegët e mi dhe mua nuk ma thonë. Pse nuk e thonë në SPAK, i ftoj ta thonë në SPAK. Ti duhet të shohësh letrat. Si ka mundësi të jesh ‘koka’ e inceneratorëve dhe të kesh fuqi të mbinatyrshme dhe të marr gjithë kolegët dhe ta bëj të gjithën këtë. Nuk kam qene aq i fuqishëm që te ve ne lëvizje qeverinë, bashkinë. Duhet të isha Guru që të marr kryeministrin. Janë investime të domosdoshme në përputhje me vizionin e qeverisë. si je ‘koka’ kur ke lënë letra që refuzojnë financimin? Tirana i takon privatit. Këto po i quaj provokime. Cilët kolegë janë?”-tha Ahmetaj.
Akuzat për vilën në Lalëz
Ahmetaj u përgjigj edhe për akuzat se ka marrë një vilë nga Klodian Zoto.
Ish-ministri tha se vila është blerë me transfertë bankare nga bashkëjetuesja e tij te një person që nuk është Zoto.
Ai sqaroi se nuk e ka bërë deklarimin pasi është blerë në vitin 2022 dhe ka kohë deri më 31 mars 2023 për ta bërë atë.
“E para që t’i dhurosh dikujt diçka duhet të jesh pronar i asaj. Unë nuk mbaj përgjegjësi kush porosit dhe kush merr e kush jo. Sipërmarrësi që ka ndërtuar është një nga më seriozët në Shqipëri. Që Klodian Zoto s’e ka pasur kurrë këtë vilë.
Unë s’mbaj përgjegjësi për Klodian Zoton. Pyete mikun tënd, ndërtuesin, a e ka marrë ndonjëherë pronë Klodian Zoto vilën? A e ka marrë vilën a është bërë pronar. Ky nuk është bërë ndonjëherë pronar. Vilën e ka një sipërmarrës tjetër. Partnerja ime Erjola, kunata e saj, janë pronarë të Gjirit të Lalëzit të tokës.
Është blerë me transfertë bankare nga Erjola nga një person që s’e ka emrin fare Klodian Zoto. Këtë e nxjerrin gjithandej. Unë s’e kam blerë, e ka blerë Erjola. Deklarimi bëhet në mars të këtij viti, vila është blerë në vitin 2022”-tha Ahmetaj.
Koment për Alda Klosin
Ahmetaj komentoi ndër të tjera edhe njohjen me ish-zyrtaren Alda Klosi të arrestuar pas vjedhjes në shtëpinë e saj të qindra mijëra eurove.
Ahmetaj tregoi lëvizjet e Klosit nëpër institucione dhe telefonatën e bërë me të disa muaj para se të arrestohej.
“Sa i përket personit në fjalë Alda Klosi, unë nuk jam te historia përgjegjësia është personale se ajo është fjali e fundit nuk është fjali e parë. Alda Klosi ka ardhur nga Ujësjellësi i Tiranës tek Ministria e Ekonomisë. Ka ikur nga Ministria e Ekonomisë, e kam gjetur në Ministri të Financave, e kam lënë në Ministri të Financave dhe ka qenë vetëm 9 muaj shefe kabineti. Në sytë e mi, ka qenë punonjës korrekt. Lidhja ime ka qenë vetëm zyrtare. Unë kam folur vetëm një herë në telefon diku nga fillimi i Tetorit për të ditur çfarë bëni, se i merrja të gjithë si jeni, ku keni filluar punë etj. Dhe sugjerimi im për të ka qenë ndiq procedurën ligjore, denonco”-tha Ahmetaj.