Profesori Artan Fuga ka pohuar se do kandidojë për kreun e Akademisë Shkencave përballë kreut të tanishëm Skënder Gjinushi.
Në një shënim në Facebook, ai shkruan se ka tre objektiva që nuk ka ndërmend t’i braktisë kurrë. Fuga thekson se lëvizja e tij synon të jetë rezistencë kundër disa deputetëve, që të shtyrë nga lobe të ndryshme, kërkojnë të ndryshojnë ligjin për akademinë duke i bërë drejtuesit e saj të përjetshëm.
Ai shton më tej se qëllimi i tij është ta kthejë Akademinë e Shkencave në një institucion shkencash sipas modeleve perëndimore, ndryshe nga modeli i tanishëm që sipas tij është duplikim i instituteve të tjera duke shpërdoruar paranë publike.
Po, do të kandidoj!
Miq, gazetarë, dashamirës më kanë pyetur shpesh: Përse nuk kandidon për vendin e kryetarit të Akademisë të shkencave të Republikës të Shqipërisë?
Deri tani nuk u jam pergjigjur, për mirësjellje por edhe sepse as më parë nuk e kam pasur fare, po fare, si objektiv.
Jam përpjektur për një model tjetër pa asnjë interes personal!
Por, aktualisht them se ende është shpejt për kandidime të zyrtarizuara.
Ndërkaq për këto tre objektiva që kurrë nuk i braktis:
- Për të rrezistuar kundër sipërmarrjes të papërgjegjshme dhe politikisht amorale të ndonjë deputeti të përdorur e konsumuar, prej vitesh, që kërkon shtyrë nga lobi të ndryshme të ndryshojë ligjin për akademinë duke i bërë drejtuesit e saj të përjetshëm, pa e kufizuar më me një mandat detyrën e tyre, edhe pas të 75 – vjetëve,
- Për të vazhduar të promovoj modelin tim për një akademi shkencash të vërtetë, sipas modeleve perëndimore pa përjashtim, jo të kthyer në një institut kërkimesh pa aks e pa bosht, që duplikon Institute të tjera duke shpërdorur kështu paranë publike,
- Për të treguar dështimet e modelit të tanishëm të imponuar me dhunë nga një grusht deputetësh që sot nuk dihet se ku janë, të imponuar nga politika, po, për këto tre objektiva nuk përjashtoj fare kandidimin!
Dhe sot, edhe pse ndoshta është ende herët për ta konsideruar vendim të pakthyeshëm, kam bindjen se do ta bëj!” – shkruan Fuga.