Vendosni fjalën kyçe....

Drejtoria e Tatimeve: Kush ndryshon me ulje deklaratën e listëpagesës dhe anulon faturat e shitjes pa u reflektuar në librat e blerjes do ndiqet penalisht


Drejtoria e Tatimeve ka paralajmëruar tatimpaguesit se do ndiqen penalisht nëse bëjnë ndryshime me ulje deklaratën e listëpagesës duke njoftuar se kjo është vepër penale.

Në njoftimn e tatimeve theksohet se kjo bëhet për të shmangur pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëmarrësit.

Në njoftim theksohet se e njëjta gjë do ndodhë edhe me tatimpaguesit që anulojnë faturat e deklaruara të shitjes pas u pasqyruar anulimet në Librat e Shitjes te klientët e tyre.

Në fund të njoftimit bëhet me dije se po investigohet edhe nëse në këtë dukuri janë të përfshirë punonjës të strukturave të saj.

“Administrata Tatimore njofton të gjithë Tatimpaguesit se ka konstatuar 2 fenomene me risk të lartë: Tatimpagues, që bëjnë ndryshime me ulje të deklaratës së listëpagesës, me qëllim shmangien e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëmarrësit. Tatimpagues, që anulojnë faturat e deklaruara të shitjes, pa u reflektuar këto anullime në Librat e Blerjes së klientëve të tyre.

I bëjmë me dije të gjithë tatimpaguesit se këto ndryshime të pajustifikuara të deklaratave, kryesisht ndryshimi i deklaratës së listpagesës, cënojnë drejtpërdrejt jo vetëm Administratën Tatimore, por edhe Pensionin dhe Shërbimet Mjekësore të punëmarrësit dhe në bazë të ligjit konsiderohet vepër penale. Administrata Tatimore po investigon nëse të përfshirë në këto fenomene janë edhe punonjës të strukturave të saj, ndërsa sjell në vëmendje të tyre dhe të çdo tatimpaguesi që fenomenet e sipërcituara do të trajtojhen sipas ligjit “Për Procedurat Tatimore”.” – thuhet në njoftim.