Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, e ka propozuar atë si kandidat të partisë për president në zgjedhjet e ardhshme, sipas REL.
Këtë njoftim partia e Gjukanoviçit e bëri përmes llogarisë në Twitter.
Vendimi u mor gjatë mbledhjeve që kjo parti ka mbajtur më 24 shkurt. Gjukanoviç mori mbështetje unanime nga partia e tij për të hyrë në garë për një mandat të ri pesëvjeçar në krye të shtetit.
Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi janë caktuar për 19 mars dhe kandidatët duhet të dorëzojnë aplikimet për të marrë pjesë në zgjedhje deri më 26 shkurt pranë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
DPS është në opozitë që nga gushti i vitit 2020.
Gjukanoviç është një politikan, pushteti i të cilit në Mal të Zi ka qenë i pakontestueshëm që nga vendosja e sistemit shumëpartiak më shumë se 30 vjet më parë.
Gjukanoviç është zgjedhur për herë të parë president më 1997 dhe këtë postë e ka ushtruar deri më 2003. Ai po ashtu fitoi mandatin e dytë si president në zgjedhjet e prillit të vitit 2018. Ai po ashtu ka udhëhequr lëvizjen për pavarësinë e Malit të Zi.
Gjatë mandatit të tij si president, ka nisur procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ndërkaq në kohën sa ishte kryeministër, shteti më 2017 u bë anëtar i NATO-s
Deri më tani, kandidatët e konfirmuar për zgjedhjet presidenciale janë lideri i Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiq, dhe zëvendëskryetarja e Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviç Stankoviç.
Po ashtu, është paralajmëruar se në zgjedhjet presidenciale do të garojnë edhe Aleksa Beçiç, Jamov Millatoviq dhe Goran Danilloviç.