Mohammad Ibrahim Bazzi, shtetas libanez dhe belg, i cili konsiderohet financuesi kyç i grupit militant të përkrahur nga Irani, Hezbollah, është arrestuar të premten në Bukuresht, kanë thënë autoritetet federale të Rumanisë.
Bazzi, 58-vjeçar, është shpallur “terrorist global” nga Shtetet e Bashkuara më 2018, kur janë ofruar 10 milionë dollarë në këmbim të informacionit për vendndodhjen e tij.
Sipas autoriteteve, ai i ka siguruar Hezbollahut miliona dollarë ndër vite, përcjell REL.
Prokurori amerikan, Breon Peace në Bruklin, ka thënë se ekstradimi i Bazzit dhe shtetasit libanez Talal Chahine, 78-vjeçar, është kërkuar në bazë të akuzave që rëndojnë mbi të.
“Mohammad Bazzi ka menduar se mund të bartë qindra mijëra dollarë nga Shtetet e Bashkuara për në Liban, pa u vënë re nga autoritetet për zbatim të ligjit”, ka thënë Peace në deklaratë.
“Arrestimi i Bazzit vërteton që ai e ka pasur gabim”.
Në akuzat kundër Bazzit dhe Chahine përfshihet komploti për të shtyrë individë amerikanë që të kryejnë transaksione të paligjshme me një terrorist global dhe komplot për pastrim parash.
Ende është e paqartë se kush do t’i përfaqësojë të dy burrat kur të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.