Shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për një paketë të mëtejshme sanksionesh kundër Rusisë, përfshirë kufizime shtesë tregtare, thanë diplomatë për DPA-në.
”Raundi i fundit i sanksioneve parashikon kufizime shtesë tregtare”, siç njoftoi presidenca suedeze e Këshillit të BE-së në Bruksel, dje në mbrëmje.
Sipas një diplomati polak, Varshava ra dakord me kushtin që importet e gomës sintetike në BE të monitorohen rregullisht në të ardhmen.
Diplomatët gjithashtu do të vazhdojnë të punojnë për sanksionet kundër sektorit bërthamor rus.
Sanksionet hyjnë sot në fuqi, pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se kufizimet e reja do të zbatohen veçanërisht për mallrat industriale, që industria ruse nuk mund t’i marrë nga vendet e treta si Kina, përfshirë pjesët e makinave, antenat, vinçat, automjetet speciale dhe pjesët rezervë për kamionë dhe motorë.
Ekzistojnë gjithashtu kufizime të eksportit për rreth 50 komponentë të rinj elektronikë që mund të përdoren për sistemet e armëve ruse, dronët, raketat dhe helikopterët.
Për të parandaluar kompanitë nga vendet joanëtare të BE-së që të furnizojnë Rusinë me mallra civile me përdorime ushtarake si dronët, zbatimi i sanksioneve ekzistuese do të zgjerohet, që do të thotë se kompanitë mund të humbasin potencialisht aksesin në tregun e brendshëm të BE-së në të ardhmen.
Ashtu si në të kaluarën, sanksionet do të shoqërohen me një listë të atyre që nuk lejohen më të hyjnë në BE dhe pasuritë e të cilëve në BE do të bllokohen.
Përfaqësuesit e 27 vendeve të BE-së kanë dashur të bien më shpejt dakord për sanksionet dhe kishin filluar diskutimet një ditë përpara se bota të shënonte një vit që kur Rusia nisi sulmin e saj të gjithanshëm ndaj Ukrainës