Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se skandali me supervizimin e punimeve të inceneratorit tregon qartë se Arben Ahmetaj mashtroi gjatë intervistës televizive në emisionin “Opinion” më 23 shkurt.
Kjo sepse shteti dhe ministria e drejtuar nga Ahmetajt kishin një strukturë që duhej të merrej me supervizimin.
Berisha tha se Ahmetaj u përpoq gjatë intervistës që të çonte përgjegjësinë te Rama kur dëshmoi se nuk kishte fuqi të lëvizte ai qeverinë për koncesionin.
Kreu i PD-së duke komentuar intervistën tha se Ahmetaj madje përfshiu edhe Veliajn kur kërkoi që të ndiqeshin paratë.
“Ju keni dëgjuar për aferën e djegësave, të vjedhjes së 420 milionë eurove.
Doli pardje Arben Ahmetaj, e pa që Edi Rama e shiti. Ai insistoi të dilte te ai emision se Rama tha se me të ka punë prokurori.
Ajo ishte një medalje me dy anë.
Në një anë i tha se kreu i Meduzës për inceneratorët je ti. I tha se nuk jam i fuqishëm sa të lëviz qeverinë. Asnjë ministër nuk e lëviz sot. Qeverinë e lëviz kryeministri me sekretarin e përgjithshëm e tij. E tha këtë, sepse në aferën e djegësve, siç nuk ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar, janë firmosur 17 dokumente për 24 orë.
E vërteta është se përgjegjësinë më madhore e ka Edi Rama. Ai ka firmosur fap e fap, duke i thënë drejtori i entit kombëtar të prokurimeve, që kjo metodë prokurimi nuk mund të përdoret se është antiligjore. Kurrë kryeministri nuk mund ta firmosë atë. Sepse ai është gardiani i shtetit shqiptar. Ai ka shkelur ligjin vetëm pse e kishte ndërmarrje të tij.
Pse u thashë me dy medalje? Tha edhe për Erion Veliajn. Ndiqni paratë, se Veliaj ka marrë me thasë. Ana tjetër e medaljes është se deshi të lajë gjurmët. Nuk kam firmosur. Gënjeshtra!
Në këtë aferë është një ndërtues i kontraktuar nga një kompani private, si supervizor, që është në burg me akuzën e shkeljes së interesit publik, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë përgjegjësi publike. Në burg është supervizori.
Por shteti ka një inspektoriat financuar nën urdhrat e Arben Ahmetajt. Ky inspektoriat ka detyrë ligjore të kontrollojë çdo lloj abuzimi që sinjalizohet nga mediat, nga punonjësit, nga kushdo.
Nga viti 2014 deri ditën kur foli Ahmetaj, ka pasur të paktën një person që ka bërë 223 denoncime, por janë mbi 1 mijë denoncime për abuzime me djegësin.
Por pse SPAK i partisë hesht dhe arreston Arben Dervishin, por nuk shkon te inspektori që paguani me taksat tuaja për të mbrojtur paratë tuaja, buxhetin tuaj? Pse nuk arreston inspektorin dhe ministrin prej nga varej? Pse? Se ky institucion është i kalbur. U ndërtua krejtësisht si seksion i PS-së,” tha Berisha.