Vendosni fjalën kyçe....

Gjukanoviç shpall kandidaturën për mandatin e tretë presidencial


Milo Gjukanoviç, presidenti i Malit të Zi, ka shpallur kandidaturën për një mandat të tretë në zgjedhjet presidenciale muajin e ardhshëm.

Votimi i 19 marsit do mbahet teksa vendi është i kapluar nga një bllokim politik njëvjeçar i shënuar nga votat e mosbesimit në dy qeveri të veçanta dhe një grindje midis ligjvënësve dhe Gjukanoviçit për emërimin e një kryeministri të ri.

Me kalimin e viteve, Mali i Zi është ndarë mes atyre që identifikohen si malazezë dhe atyre që e shohin veten si serbë dhe kundërshtojnë pavarësinë e vendit.

Zyra e presidentit është kryesisht ceremoniale në Mal të Zi, por një fitore e Gjukanoviçit mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme parlamentare pas votimit presidencial sepse ai deri më tani ka kundërshtuar kandidatët e propozuar për postin e kryeministrit.

“Unë po hyj në garën zgjedhore me synimin për të fituar shpejt dhe bindshëm,” tha Gjukanoviç, i cili kryeson Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), të shtunën teksa paraqiti kandidaturën pranë autoriteteve zgjedhore.

“Mali i Zi është plotësisht i paralizuar në rrugën e tij evropiane dhe kjo agoni duhet të ndalet sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Gjukanoviç, i cili e udhëhoqi Malin e Zi drejt pavarësisë së tij nga bashkimi shtetëror Serbi-Mali i Zi në 2006, siguroi anëtarësimin në NATO dhe e vuri atë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kundërshtarët akuzojnë Gjukanoviç dhe DPS për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe për drejtimin e vendit të rreth 620,000 njerëzve si çiflig i tyre personal, akuza që Gjukanoviç dhe partia e tij i mohojnë.

Komisioni shtetëror zgjedhor ka miratuar tashmë dy kandidatë të tjerë presidencialë – Andrija Mandic nga partia etnike serbe Demokracia e Re Serbe dhe Draginja Vuksanovic Stankoviç nga Partia Social Demokratike.